Në Kroaci, të premten në mesnatë, duhet të hyjnë në fuqi masat e reja shtrënguese kundër përhapjes së koronavirusit , ndërsa sipas portalit Indeks, ato i referohen mbylljes së të gjitha kafeneve dhe restoranteve në vend.
Masat duhet të jenë në fuqi deri në Krishtlindje, kumtoi Indeks pas takimit midis shefit të Shtabit Kombëtar të Krizave dhe Ministrit të Punëve të Brendshme, Davor Bozhinoviç me prefektët.
“Argumenti është se ata po kthehen në klube disko”, tha një nga pjesëmarrësit për portalin.
Restorantet do të mund të organizojnë dërgesa të ushqimit jo deri në orën 22:00, siç ishte planifikuar fillimisht, por pa ndërprerje.
Sipas Indeksit, ceremonitë e dasmave janë të ndaluara përkohësisht, ndërsa qendrat e fitnesit, sipas informacioneve të fundit, mbeten të hapura, por duhet të sigurojnë 10 metra katrorë për përdorues.
Është konfirmuar gjithashtu që dyqanet dhe qendrat tregtare do të vazhdojnë të funksionojnë, por kontrolli do të forcohet për të siguruar që numri i klientëve në to të jetë në përputhje me numrin e caktuar të metrave katrorë.
Hotelet mbeten të hapura dhe restorantet e tyre do të jenë të hapura, por vetëm për mysafirët e hotelit.
Kinematë dhe teatrot mbeten të hapura.
