Në korrik fillojnë punimet në pjesën e dytë të Shkup-Bllacë! Kërçovë-Ohër plotësisht gati në tremujorin e parë të 2027-s

TË FUNDIT

Pas dy kilometrave të cilat u ndërtuan për gjashtë vite dhe që praktikisht nuk përfundojnë askund, vjen një premtim i ri për fillimin e aktiviteteve ndërtimore për pjesën e dytë të autostradës Shkup-Bllacë. Punimet në terren duhet të fillojnë në korrik. Kur duhet të përfundojnë 10 kilometrat e mbetur nuk dihet, por dihet sa do të kushtojnë. Sipas vlerësimeve, shuma arrin 215 milionë euro, ose 21,5 milionë për kilometër. Kryeministri Mickoski informoi se vlerësimi i projektit ka përfunduar, por po pritet të përfundojë procedura ankimore dhe më pas të fillojnë aktivitetet në terren.

“Në fillim të korrikut të këtij viti do të fillojë ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë. Vlerësimi dhe përzgjedhja e kompanisë është përfunduar dhe tani është në rrjedhë procedura ankimore në shkallë të dytë, pas së cilës pritet fillimi i punimeve ndërtimore. Paratë janë siguruar, ndërsa projekti duhet të kushtojë 215 milionë euro”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.

Përveç Shkup-Bllacës, në fazë përfundimtare është edhe Kërçovë-Ohër. Një segment do të hapet këtë vit, më 8 shtator, ndërsa i gjithë autostrada pritet të vihet në përdorim në janar të vitit të ardhshëm, ose më së voni në tremujorin e parë të vitit 2027.

“Segmenti nga Izvori deri në Vërbjani do të hapet në Ditën e Pavarësisë, më 8 shtator, të paktën kështu presim. E gjithë autostrada Kërçovë-Ohër duhet të vihet në përdorim në tremujorin e parë të vitit 2027. Për përfundimin e këtij projekti të autostradës janë siguruar mjete prej 175 milionë eurosh, si hua nga bankat vendore, pra projekti është financiarisht i mbuluar”, u shpreh Hristijan Mickoski, kryeministër.

Së bashku me autostradën Shkup-Bllacë, si dhe segmentet e Korridorit 8, Mickoski thotë se në gjysmën e dytë të këtij viti do të punohet në 6 zgjidhje, si dhe në disa rrugë ekspres.