Në garë tre apo katër emra…Kë do të zgjedhë qeveria për kryeprokuror?

TË FUNDIT

Mendimi i Këshillit të Prokurorëve Publikë për zgjedhjen e Prokurorit të ri Shtetëror, në të cilin listë janë katër emra, ka mbërritur në Qeveri. Por mbetet e paqartë nëse dhe kush do ta kalojë filtrin qeveritar dhe nëse nesër në mbledhjen e Qeverisë do të kalojë “kandidati favorit” i Qeverisë për pasues të Kocevskit dhe do të dërgohet në Kuvend. Nuk ka detaje nëse zgjedhja do të kufizohet në tre apo katër kandidatë, pasi kryeministri Hristijan Mickoski publikisht e përjashtoi nga gara prokuroren Lençe Ristoska.

QEVERIA:

“Ju informojmë se mendimi nga Këshilli i Prokurorëve Publikë ka mbërritur. Pasi formalisht dhe juridikisht të kalojë procedurat përkatëse dhe të shqyrtohet në mbledhje qeveritare, pas marrjes së vendimit, publiku do të informohet me kohë”

Kryeministri Mickoski, në një intervistë televizive, e përjashtoi nga gara prokuroren Ristoska. I pyetur nëse janë në garë të katër kandidatët nga lista që Këshilli i Prokurorëve Publikë ia dërgoi Qeverisë, përfshirë edhe Lençe Ristoska, ai u përgjigj:

 “Absolutisht jo të gjithë janë në garë dhe qëndrimi im lidhur me atë emër është absolut se ai emër nuk është në garë”, u shpreh Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Një zgjedhje e tillë duhet të bazohet në cilësi dhe jo në përshtatshmëri – reagoi prokurorja Ristoska.

Anëtarët e Këshillit të Prokurorëve Publikë, përveç për Ristoskën, dhanë mendim pozitiv edhe për ushtruesen aktuale të detyrës së Prokurores Shtetërore Publike, Anita Topolova-Isajllovska, më pas për prokuroren Lidija Raiçeviq dhe për gjyqtarin Nenad Saveski. Nga gara u tërhoq ish-gjyqtari penal Vladimir Pançevski.

Tani radhën e ka Qeveria, e cila do të vendosë se cilin emër do ta dërgojë në Kuvend, që duhet ta zgjedhë Prokurorin e ri Shtetëror. Ai duhet ta pasojë Ljupço Kocevskin, i cili në dhjetor dha dorëheqje të parevokueshme. Për zgjedhjen në Kuvend nevojitet shumicë prej 61 deputetësh.