Për nënkryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, miratimi i propozimit francez tashmë është punë e kryer, por sipas tij, problem mbeten ndryshimet kushtetuese për futjen e bullgarëve, gjë që ASh mund ta kushtëzojë me heqjen e 20%-shit për shqiptarët.
“Edhe lideri i opozitës maqedonase disa herë e ka theksuar se nuk i pengon të hiqet 20%-shi, në qoftë se ka pajtueshmërie, e ne patjetër se do ta vendosim, nuk e them si kusht, të shohim se si do të rrjedhin situatat, në bazë të asaj do të vendosim, por mendoj se do të insistojmë në çdo mënyrë që në këtë hapje të Kushtetutës 20% të hiqet”, tha Taravari.
Sipas Taravarit, brengosës është mungesa e konsensusi mes partive maqedonase, po megjithatë mendon se edhe ndryshimet kushtetuese do të bëhen së shpejti.
“Ka një hapësirë deri sa të hapen negocitata, ajo është kur do të ketë nevojë për ndryshime kushtetuese, të menaxhohet mirë prej pushtetit, prej partive në pushtet që të gjendet ndonjë kompromis që të arrihet te numri 81, unë vazhdoj të mendoj se ndryshimet kushtetuese do të bëhen…
-Në këtë Qeverisje, në këto muaj në vijim?
-Po besoj se po…
-E thoni këtë si mendim tuajin apo keni indice nga kolegët opozitarë të VMRO-DPMNE-së?
-Në qoftë se pushteti aktual nuk e ka vetëm sa për ta thënë se do të jetë pjesë e BE-së dhe nga ana tjetër vepron për të krijuar nervozizëm dhe tensione në popullatë, unë mendoj se mund ta menaxhojnë, kanë hapësirë, tash do të kalojë me 61, por ka hapësirë me ndryshimet kushtetuese”.
Ndërprerja e bashkëpunimit me VMRO-DPMNE-në nuk erdhi vetëm për shkak të incidentit te sheshi “Skënderbeu”, por edhe për shkak të retorikës dhe fjalorit të DPMNE-së, tregon Taravari. Zëra kundër për këtë në kryesinë e ngushtë të ASH-së nuk ka pasur. Aktualisht bashkëpunimi ASH-VMRO-DPMNE, sipas Taravarit është në moratorium, pra ndërprerje të përkohshme, si në komuna po ashtu edhe për bashkëpunime të tjera të mundshme.
“E akuzoni VMRO-DPMNE-së për kontaminim me Levicën…
-Përshtypja është e atillë. Përshtypja është se VMRO shkon thjesht në poentim politik, ka infiltrime të mendësisë të cilën e promovon partia politike Levica…
-Po poentime të tilla ka pasur edhe para 8 muajsh kur u përpoqët bashkë ta rrëzoni qeverinë… Levica është kjo që është në 2 vitet e fundit.
-Për Levicën as që diskutohet, Levicën e shoh si parti politike minore, të cilën BDI ka tendenca ta rrisë”.
Raportet e Aleancës për Shqiptarët me Lëvizjen Besa Taravari i konsideron korrekte, ndërsa për Alternativën thotë se gabuan që u hynë në Qeverinë. Taravari është i sigurt se qeveria e ardhshme do të jetë pa BDI-në, të cilën tha se më nuk është BDI por parti e Artan Grubit.
