Ndryshimet kushtetuese/ Mariçiq thotë se është herët, VMRO mendon se pushteti s’ka shumicë

TË FUNDIT

Për pushtetin është herët që tani të flitet për ndryshimet kushtetuese dhe për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë. Sipas zëvendës kryeministrit për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, procedura për ndryshime kushtetuese do të fillojë në ndonjë fazë të mëtutjeshme, sepse procesi i skriningut jep kohë të mjaftueshme për t’i kryer ndryshimet kushtetuese. Vlerësoi se procesi i ndryshimeve nuk do të jetë i thjeshtë mu për shkak të, siç tha, lajmeve të rrejshme lidhur me marrëveshjen me Bullgarinë.

 “VMRO-DPMNE dhe Mickoski duhet njëherë të japin mbështetje për qëllimet tona strategjike. I anashkaluan ato për në NATO, që është për keqardhje për të gjithë ne, por nuk do të duhej t’i anashkalonin për BE-në. Shpresoj se do të mbledhin forca ose si parti ose si struktura politike në korniza të partisë të japin mbështetje për këtë proces. Ne ende nuk kemi kornizë kohore, skriningu na lë mjaft hapësirë për të vepruar dhe do të punojmë për këtë intensivisht”.- deklaroi Bojan Mariçiq, Zv/Kryeministër për Çështje Evropiane.

Por sipas nënkryetares së VMRO-DPMNE, Gordana Dimitrieska- Koçkoska, pushteti nuk ka shumicë prej 80 votave për ndryshimet kushtetuese dhe pikërisht për këtë arsye vlerëson se u refuzua edhe propozimi i liderit të tyre Hristijan Mickoskit që është në mënyrë urgjente të thirret Kuvendi dhe në rend dite të vendosen ndryshimet kushtetuese.

 “Për neve ajo çështje është e mbyllur sepse siç thashë nuk kanë shumicën dhe prandaj nuk e vendosin në votim. Nga ana tjetër më se e qartë është se kryeministri ka frikë sepse e di se nëse vendos propozimin në votim, nuk kalon dhe gjëja e ardhshme që duhet të bëjë është ta shpërbëjë Kuvendin dhe të kërkojë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe të qartë e ka se populli do të votojë kundër dhe ata do të duhet të largohen”.- pohoi Gordana Dimitrieska- Koçkoska, nënkryetare e VMRO-DPMNE.

Ditë më parë, kreu i VMRO-DPMNE-së, Mickoski, bëri thirrje që urgjentisht të thirret Kuvend dhe në rend ditë të vendosen ndryshimet kushtetuese. Propozoi që nëse ndryshimet kushtetuese kalojnë, atëherë ai do të jap dorëheqje nga politika, por nëse ndryshimet nuk kalojnë atëherë vendi duhet menjëherë të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.