Nga partia Alternativa njoftojnë se nuk do të marrin pjesë në grupe pune për hartimin e ndryshimeve kushtetuese, pa pasur më herët konsensus politik ndërmjet partive politike për t’i mbështetur këto ndryshime.
Nga kjo forcë politike thonë nuk mund të ulen në një tavolinë dhe të flasin për këtë temë me parti që ende nuk janë deklaruar për propozim-amendamentin e saj kushtetues për luftën kundër korrupsionit.
“Derisa nëpër gjykata çdo ditë raportohen lëndë të korrupsionit që dështojnë për shkak të vjetrimit të tyre, ndërsa qeveria dhe partitë e tjera heshtin ndaj propozimit tonë për ta sanksionuar me kushtetutë mosvjetrimin e lëndëve të korrupsionit politik. Nëse dikush dëshiron ta shohë Alternativën pjesë të këtyre debateve, së pari duhet të ofrojë mundësi reale për konsensus politik dhe, së dyti, në rend dite të jetë propozim-amendamenti kushtetues i Alternativës për luftë kundër korrupsionit politik. Këtu po kujtojmë se për Alternativën ndryshimet kushtetuese nuk kanë kuptim nëse Maqedonia e Veriut, me mjete rrethanore, vazhdon ta sponsorizojë korrupsionin politik.”- thuhet në njoftim.
