Ndryshimet e Ligjit për Këshillin Gjyqësor, do të vendosen edhe rekomandimet e misionit vlerësues

TË FUNDIT

Ndryshimet e Ligjit për Këshillin gjyqësor dhe adresimi i rekomandimeve të Misionit Vlerësues, janë pjesë e masave që ndërmerren në reformimin e punës së këtij trupi. Ministri i drejtësisë, Igor Fillkov, pret ndryshimet e ligjit plotësisht të jenë në harmonizim me rekomandimet e Misionit vlerësues dhe pret që me këtë të mënjanohen problemet që i ka Këshilli Gjyqësor.

“Agjenda reformuese që zyrtarisht u miratua nga KE më 23 tetor të këtij viti na obligon që deri në qershor të vitit 2025 të kemi ligj të ri për Këshillin Gjyqësor në të cilin do të adresohen rekomandimet e Misionit vlerësues. Po na pret edhe obligimi që draft ligji të shqyrtohet nga Komisioni i Venecias para miratimit në vend, që krijon presion që sa më shpejtë të përfundojë procesi”, u shpreh Igor Fillkov – ministër i Drejtësisë.

Kryetarja e Gjykatës supreme, Besa Ademi tha se qëllimi i ndryshimeve ligjore është që të tejkalohen dobësitë e Këshillit Gjyqësor dhe njëkohësisht të jenë edhe në përputhje me rekomandimet e Misionit vlerësues.

“Pikërisht pavarësia parimore e gjyqësorit, llogaridhënia, mbrojtja e renomesë së gjyqësorit, integriteti i gjykatësve, mbrojtja nga ndikimet joadekuate, siguria ligjore dhe sigurisht parimet e Gjykatës europiane për të drejtat e njerëzve, duhet të jenë bazë thelbësore për ndryshimet ligjore”, potencoi Besa Ademi – kryetare e Gjykatës Supreme.

Dhe përderisa debatohej për reformat, në Kuvend betim dha anëtarja e re e Këshillit gjyqësor, Danka Ristova, e cila është bashkëshortja e kryetarit të Radovishit, Aco Ristov nga radhët e VMRO-DPMNE-së. Ajo në këtë pozitë po vjen edhe përkundër kritikave të opozitës për emërimin e saj politik. Ristova u angazhua se funksionin do ta kryej në mënyrë profesionale dhe pa presione politike.

“Këtë besim do ta arsyetoj me punë të përkushtuar në Këshillin gjyqësor dhe vlerësoj se para Këshillit gjyqësor është sfidë e madhe që të mundësohet funksionimi i papenguar i gjykatave. Nëse në opinion nuk mjafton përvoja ime 34 vjeçe në gjyqësor, nga pozita e vullnetarit e deri te gjykatës në gjykatën e Apelit, nuk kam çfarë tjetër të flas”, u shpreh Danka Ristova – anëtare e Këshillit Gjyqësor.

Përveç Ristovës, betim dhe edhe Artion Alla për anëtar i Këshillit Gjyqësor, si dhe Adrijan Demiri për anëtar i Këshillit për Prokurorë Publik.