Vetëm disa ditë pasi u hodh poshtë iniciativa e kreut të Këshillit Evropian, Antonio Costa, për heqjen e njëzëshmërisë në vendimmarrje – e cila u paraqit kryesisht për procesin e anëtarësimit të Ukrainës, një nismë e re vjen nga Austria dhe Sllovenia, së bashku me Gjermaninë dhe Italinë. Ministrja federale austriake për çështje evropiane, Klaudia Plakolm, tha se Bashkimit Evropian i nevojiten zgjidhje inovative që do të zgjidhin bllokadat dypalëshe midis vendeve.
“Kam një risi për ju nga Austria. Austria do të angazhohet për shumicë të kualifikuar për pranimin e vendeve të reja në Bashkimin Evropian, me qëllim që të ulet burokracia. Kjo në praktikë do të thotë që çdo hap teknik ndërmjetës për çdo vend kandidat nuk do të ketë më nevojë të miratohet njëzëri. Në këtë mënyrë, për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, për vetë procesin e anëtarësimit do të kërkohet njëzëshmëri, por do të ulen marrëdhëniet e tensionuara bilaterale”, tha Klaudia Plakolm – ministre federale e Austrisë për Evropën.
Sekretarja shtetërore për çështje evropiane e Sllovenisë, Neva Grashiq, tha se kjo nismë tashmë është dorëzuar në Komisionin Evropian.
“E mbështesim iniciativën së bashku me Gjermaninë, Italinë dhe Austrinë, me një letër drejtuar komisares Kos, që procesi i metodologjisë të përmirësohet realisht. Ne dhamë mbështetje politike, si mbështetje politike nga 16 vende anëtare; sigurisht, edhe të tjerët janë të mirëseardhur të bashkohen. Shumë të tjerë po e shqyrtojnë këtë dhe do të thosha se kjo është një iniciativë e hapur politike, e cila tani është në Komisionin Evropian”, tha Neva Grashiq – sekretare shtetërore për Çështje Evropiane e Sllovenisë.
Ministri për çështje evropiane, Orhan Murtezani, pajtohet se duhet të ketë ndryshime në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Metodologjia e zgjerimit duhet të pësojë disa ndryshime, sepse këtë e kemi ndjerë në lëkurën tonë. Megjithatë, shohim që, për fat të keq, kjo tashmë po bëhet praktikë dhe nuk i dëmton vetëm interesat e vendeve kandidate, por edhe interesin strategjik të Bashkimit Evropian, sidomos për shkak të faktit që e vështirëson procesin e anëtarësimit dhe lë hapësirë, për të ashtuquajtura, keqpërdorime të interesave bilaterale gjatë procesit të anëtarësimit”, deklaroi Orhan Murtezani – ministër për Çështje Evropiane – RMV.
Të mërkurën e ardhshme në vend do të mbërrijë shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila, jozyrtarisht, pritet të takohet me gjithë krerët shtetërore. Kjo vizitë vjen pas deklaratës së kryeministrit Hristijan Mickoski se në fillim të vitit të ardhshëm do të ketë lëvizje në procesin evropian të vendit.