Sërish po përgatiten ndryshime në Ligjin për Përmbarim, me të cilin qytetarët do të përballen me grabitje përmes përmbaruesve, avokatëve dhe noterëve, akuzoi kryetari i Konfederatës së Sindikatave të Lira, Marjan Ristevski. Ai thotë se kompanitë që kërkojnë borxhe nga qytetarët, në vend që t’ua dërgojnë atyre kërkesat për pagesë, përmes avokatëve i rrisin shumat që duhet të paguhen deri në 20, madje edhe 30 herë. Ristevski me mesazh për ministrin e Drejtësisë.
“Këtë Ministri pyes veten a është për drejtësi apo është për padrejtësi. A e sheh ministri, ja pothuajse dy vite është në pushtet, çfarë po ndodh, a e dëgjon zërin e popullit. Është e qartë se nuk e dëgjon. Nga këtu apelojmë që ky ligj, këto ndryshime që po i bëjnë, pasi është vendosur në ENER edhe disa ditë dhe duan ta fusin në procedurë për ta miratuar, ne kërkojmë të tërhiqet dhe të përfshihemi në mënyrë aktive në hartimin e ligjit”, tha Marjan Ristevski-kryetar i KSL-së.
Ristevski paralajmëroi se për këtë problem, për të cilin ekziston revoltë e madhe te qytetarët, do të kërkojnë takim edhe me kryeministrin Hristijan Mickoski. Nëse nuk dëgjohen kërkesat e tyre për heqjen e shpenzimeve shtesë paralajmërojnë protesta. Krime enorme vjetrohen, ndërsa borxhet te përmbaruesit jo, thotë ai.
“Pse këto shpenzime shtesë. Do të thotë, Ligji për përmbarim duhet të jetë që qytetari ta paguajë borxhin kryesor, e jo të pasurojmë avokatë, noterë, përmbarues dhe të shpikin shpenzime e gjëra të kota. Këtë betejë po e zhvillojmë prej nuk e di sa vitesh dhe shpresoj që më në fund do të vihet pikë. Nuk mund të paguhen fatura nga viti 2000 ose 96-ta, këto ditë erdhi një qytetar, e shihni se çfarë krimesh vjetrohen”, pohoi Marjan Ristevski-kryetar i KSL-së.
Për atë se deri në çfarë mase rritet borxhi u dha edhe një shembull.
“Bëhet fjalë për një person të ri, nuk ka pasur ose nuk ka paguar biletë autobusi urban në Shkup. Bileta është 35 denarë. Nga 35 denarë, përmbarimi arrin në 11.500 denarë, kjo para 3 vitesh. Në protesta erdhi gruaja, nëna, dhe e dha dokumentin. Imagjinoni deri ku ka arritur ky përmbarim”, pohoi Marjan Ristevski-kryetar i KSL-së.
Nga sindikatat thonë se lëndët në të cilat qytetarët duhet të paguajnë te përmbaruesit janë rreth 300 mijë raste.
