Ndryshime në degët e BDI-së, Çairi dhe Tetova me drejtues të rinj! Osmani në vend të Nezirit, Rexhepi në vend të Ahmetit

TË FUNDIT

BDI vazhdoi me ndryshime edhe në degët e partisë nëpër qytete. Në mbledhjen e fundit të partisë u emëruan pesë kryetarë degësh, por vetëm dy prej tyre janë emra të rinj, ndërsa në tre degë të tjera u riemëruan të njëjtët kryetarë.

Ndryshime u bënë në Çair, ku në vend të Bekim Nezirit kryetar dege u zgjodh Bujar Osmani, si dhe në Tetovë, ku Faton Ametin e zëvendësoi Bajram Rexhepi. As Osmani dhe as Rexhepi nuk arritën të fitojnë zgjedhjet lokale si kandidatë për kryetarë komunash, por kjo nuk u konsiderua pengesë për emërimin e tyre në këto pozita partiake.

Në Kumanovë, për kryetar dege u riemërua Ridvan Asani, në Strugë Faton Pollozhani, ndërsa në Gostivar Valdet Xhaferi.

Kryetarët e degëve:

Tetovë: Bajram Rexhepi

Kumanovë: Ridvan Asani

Strugë: Faton Pollozhani

Gostivar: Valdet Xhaferi

Çair: Bujar Osmani

Ndërkohë, mbetet e paqartë se çfarë do të ndodhë me degët e tjera, duke pasur parasysh se BDI ka rreth 33 degë në mbarë Maqedoninë e Veriut.

Në Kërçovë, si kandidatë potencialë për kryetar dege përmenden tre emra: Kreshnik Bekteshi, Argjend Asani dhe Ardita Dani.

Në Saraj, deri më tani kryetar dege ka qenë Hisni Jakupi. I kontaktuar nga TV21, Jakupi deklaroi se vendimi i takon kryesisë së partisë dhe shtoi se është i gatshëm të vazhdojë ta ushtrojë këtë detyrë nëse rizgjidhet.

Në Haraçinë, çështja e kryetarit të degës ende nuk është diskutuar. Atje dega mbetet e paqartë, edhe për shkak të tensioneve mes dy grupeve brenda partisë, të cilat shpesh kanë qenë publike.

Nga BDI bëjnë të ditur se me gjasë në fillim të javës së ardhshme mund të ketë emërime të reja, megjithëse nuk përjashtohet mundësia që vendimet të merren pas Vitit të Ri.

“Kjo ishte vetëm pakoja e parë e të emëruarve nga kryetari i BDI-së dhe gjatë ditëve ose javëve në vijim do të emërohen edhe degët tjera. Nuk ka shenja për asnjë pakënaqësi”, tha Arta Bilalli Zendeli – Zëdhënëse e BDI-së.

Ndërkohë, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, në mbledhjen e parë të Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm, emëroi Faton Ahmetin shef të Kabinetit, Arta Bilalli-Zendelin zëdhënëse të partisë, ndërsa Shemshedin Beqiri u emërua këshilltar i kryetarit për marrëdhënie me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.