Ndjekje si në filma, policia arrestoi dy të burgosur nga Shkupi

TË FUNDIT

Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se gjatë ditës së djeshme kanë arrestuar dy persona nga Shkupi, të dënuar me burg, e të cilët ishin lejuar me leje nga autoritetet e burgut të Idrizovës, përcjell TV21. Nga MPB thonë se të njëjtit nuk i ishin bindur urdhrit të Policisë për t’u ndaluar dhe u përpoqën të arratiseshin.

“Më 6 tetor 2025, në afërsi të lagjes Nova Kolonija, zyrtarë policorë nga Sektori për Operacione Speciale Policore, duke vepruar sipas një plani të SPB Shkup, kanë arrestuar N.A. (45) dhe A.J. (23) nga Shkupi. Të dy personat ishin të dënuar, por ndodheshin në pushim (me leje) nga burgu “Idrizovë”. Ndërsa po udhëtonin me një veturë “Range Rover” në rrugën “Pançe Nedelkovski” në Shkup, rreth orës 20:20, ata nuk u ndalën në urdhrin e policisë dhe u përpoqën të ikin. Menjëherë pas kësaj, policia ndërmori masa për t’i ndaluar dhe arrestuar. U organizua një ndjekje, gjatë së cilës automjeti i tyre u drejtua drejt unazës së Shkupit, e më pas drejt rrugës rajonale Shkup–Veles, ku policia i arriti në afërsi të Nova Kolonija. Kur policët, të cilët udhëtonin me një veturë “Mazda”, tentuan të parakalonin “Range Rover”-in, shoferi i këtij automjeti në dy raste goditi makinën e policisë. Njëri nga policët qëlloi disa të shtëna paralajmëruese në ajër, por automjeti nuk u ndal dhe doli nga rruga pranë Nova Kolonija. Gjatë kontrollit në veturë, policia gjeti pesë telefona celularë, para dhe çelësa të disa automjeteve të tjera. Personat N.A. dhe A.J. u arrestuan, dhe pas dokumentimit të plotë të rastit, do të ngrihen kallëzimet përkatëse penale ndaj tyre”, thonë nga MPB.