Ndizet alarmi në Kosovë! Kurti thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet

TË FUNDIT

Pas përmbytjeve në disa qytete të Kosovës, Kryeministri në detyrë Albin Kurti nëpërmjet rrjeteve sociale u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës për kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në rrugët e Kosovës, transmeton TV21. Kurti thekson se kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve janë vazhdimisht në terren për të lehtësuar qarkullimin.

“Sonte është natë kritike sa i përket qarkullimit në rrugët e Kosovës. Kontrasti i madh i temperaturave, me parashikime që ato të zbresin deri në –9°C, paraqet rrezik të shtuar, pasi rrugët e lagura nga shiu pritet të ngrijnë.

Të gjitha kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve janë vazhdimisht në terren për të lehtësuar qarkullimin. Është i domosdoshëm zbatimi i ligjit për sezonin dimëror, përkatësisht pajisja e automjeteve me goma dimërore dhe zinxhirë.

U bëjmë thirrje të gjithëve që sonte të mos lëvizin nëse nuk e kanë të domosdoshme. E nëse megjithatë duhet të qarkullojnë gjatë natës së sontme, atëherë patjetër të bëjnë vozitje të kujdesshme duke ju përshtatur kushteve atmosferike.

Ne po bëjmë maksimumin për t’ju dalë në ndihmë andaj edhe ju lutemi të kontribuoni në rritjen e sigurisë duke shmangur lëvizjet e panevojshme”, ka shkruar Albin Kurti.