Maqedonia nuk mund të krahasohet me vendet tjera për shkak se ne jemi vend i vogël dhe pak i zhvilluar ekonomikisht, thotë analisti ekonomik, Visar Ademi, pas publikimit të analizës së grupit Vishegradska, se vendi jonë është ndër të fundit në rajon për ndarjen e mjeteve nga buxheti për ndihmë të ekonomisë. Pas relokimit të mjeteve nga buxheti nacional, Maqedonia ka vetëm 105 milion euro. Më shumë të holla në luftën kundër krizës ka ndarë Serbia edhe atë 11%, Bullgaria 3.5% dhe Greqia 4.5%. Në suaza të Evropës, ndihmë më të madhe për ekonominë ka ndarë Gjermania – 30.6%.
“Megjithatë ne jemi vend i varfër dhe vendet tjera në rajon kanë sektor privat më dinamik se ne dhe këtë duhet ta pranojmë. Maqedonia po shkon në drejtim të kundër. Maqedonia më shumë fokusohet në ndihmën e qytetarëve me rrezik social, të punësuarve, e shumë më pak në kompanitë”, tha Visar Ademi, Analist Ekonomik.
Ministrja e financave, Nina Angellovska, para disa ditëve deklaroi se po bëhet gjithçka që është e mundur për të ndihmuar ekonominë dhe se goditja më e madhe e krizës pritet në tremujorin e dytë të vitit, përkatësisht muajt prill, maj dhe qershor.
“Duhet të jemi real se nuk do të jetë lehtë, kjo është sfidë me të cilën po përballet bota, do varet nga secili prej nesh, do varet nga ajo se sa tani do të mbajmë dhe ndihmojmë kompanitë që të kalojnë këtë periudhë. Do varet sa kompanitë do të adaptohen dhe do të reformojnë apo transformojnë proceset e tyre dhe në përputhje me këtë po përgatiten edhe masat që po ndërmerren që të mbështetet likuiditeti”, tha Nina Angellovska, Ministre e Financave.
Ademi thotë se masa e parë që u planifikua – ulja e pagave të administratës ishte në rregull për shkak se në këtë mënyrë po pëson ekonomia, ndërsa administrata është e privilegjuar. Tha se nevojiten masa serioze afatgjate për shkak se në të kundërtën edhe më tej do të presim që dikush të na ndihmojë ose të vazhdojmë me huamarrjet të cilat do të jetë e vështirë për t’i kthyer.
“Ne jemi shtet i vogël dhe kemi më pak resurse më të shtrenjta. Ne shitëm gjithçka që kishim në Maqedoni. Shqipëria ka më shumë resurse, ka det, turizëm, krom e kështu me radhë. Serbia ka më shumë kompani publike që presin të blihen nga investitorë dhe ata para do të shkojnë në kasën shtetërore. Në Maqedoni çdo huamarrje e re do të jetë ngarkesë e madhe për gjeneratat e ardhshme”, tha Visar Ademi, Analist Ekonomik.
Ministrja e financave, Nina Angellovska, informoi se për huamarrjen e paralajmëruar përmes bankave të huaja komerciale, është vendosur që të shkohet direkt përmes eurobondit, por ende nuk dihet shuma. Ajo para do kohe informoi për tre skenarë, sipas së cilave Maqedonisë do i nevojitet mbështetje e përgjithshme më së shumti prej 1.2 miliard euro.
