Ndërtimi koritës në përroin e Shipkovicës/ Banorët ankohen për mungesë transparence, Kasami: Do të shkoj atje!

TË FUNDIT

Ka filluar ndërtimi i koritës në përroin që kalon mes përmes Shipkovicës, por për këtë projekt të financuar nga UNDP-ja nuk ka as një tabelë që të informojë se kush i realizon punimet apo për kohën për sa duhet të kryhet puna. Kryetari i Bashkësisë Lokale, Ismail Iljasi, thotë se banorët çdo ditë ankohen për shkak se nuk janë të informuar se çfarë po punohet këtu.

“Problemi është se ne akoma nuk kemi asnjë informatë se çka punohet dhe nuk na është dhënë projekti në formë institucionale, por çdo herë kanë ardhur me fjalë se është projekt europian, kjo duhet patjetër të bëhet dhe s’mund të ndalet. Nëse është projekt evropian çdo banor ka të drejtë të informohet për punën që do bëhet para shtëpisë së vet, banorët ku do të punohet duhet të jenë të informuar, këtu nuk ka asnjë informatë se sa ditë do të punohet, sa metra do të punohet, kush është punëdhënësi, kush është ai që punon”- deklaroi Ismail Iljasi, Kryetar I BL Shipkovicë.

Iljasi pohon se nga Komuna e Tetovës kanë shkuar dhe u kanë thënë se mund të ndërpresin projektin nëse banorët nuk e duan. Këtë kryetari i bashkësisë lokale e sheh si kërcënim.

“Përgjegjësi i komunës që është për këtë projektin mua më ka thënë nëse ankohen këta persona ose do ta sjell policinë ose do ta ndërpres projektin. Na kërcënojnë, për mua është kërcënim ku thotë nëse reagoni do ta ndërpresim projektin dhe ky është një kërcënim i madh në shtëpinë time do ta ndërpres projektin.”- pohoi Ismail Iljasi, Kryetar I BL Shipkovicë.

Për këto e pyetëm vetë kryetarin e Tetovës Bilall Kasamin, i cili u zotua se do të shkojë në Shipkovicë që të takohet me banorët dhe t’u japë më shumë detaje.

“Është projekt i UNDP-së që ka të bëj me rregullimin e shtratit të lumit që kalon mes Shipkovicës, është një projekt për të mbrojtur banorët  e Shipkovicës, nëse ka një gjë të tillë unë ditëve në vazhdim do të dal në teren edhe do t’i informojmë banorët e Shipkovicës.”- tha Ismail Iljasi, Kryetar I BL Shipkovicë.

Ky projekt u premtua pas vërshimeve të vitit 2015. Punët kanë filluar para disa muajsh, por  banorët duan ta dinë nëse gjithçka po bëhet sipas standardeve dhe që eventualisht të mos i pengojë në përditshmërinë e tyre, sidomos të shtëpive të atyre afër të cilave po ndërtohet korita.