Ndërtimi i korridoreve 8 dhe 10-D/Kovaçevski: Maqedonia bëhet rutë e pashmangshme për transport në rajon

TË FUNDIT

U nënshkrua marrëveshja për mbikëqyrje të punëve ndërtimore në korridorin 8 dhe 10-D, ndërsa nesër do të fillojnë negociatat me konsorciumin amerikano turk Behtel dhe Enka i cili do të ndërtojë katër akset e autostradave në gjatësi prej mbi 120 kilometrave. Kryeministri Kovaçevski tha se ky projekt është projekti më i madh kapital infrastrukturor dhe se nëpërmjet projekteve të tilla mundësohet zhvillim më i shpejtë ekonomik i vendit.

“Ndërtimi i akseve të autostradës së korridoreve 8 dhe 10 është me rëndësi të madhe për ngritjen e nivelit të cilësisë së infrastrukturës rrugore dhe komunikacionit me çka edhe më shumë do ta theksojmë pozitën gjeostrategjike të Republikës së Maqedonisë së Veriut që përmes këtyre projekteve do të bëhet ruta e pashmangshme e transportit në rajon dhe më gjerë”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Këtë ditë e kemi pritur një vit e gjysmë dhe kjo është ditë historike me fillimin e projektit më të madh infrastrukturor në vend, theksoi Artan Grubi, zv.kryeministri i parë dhe kryetar i Komitetit udhëheqës për këto projekte.

Ministri për transport dhe lidhje, Bllagoj Boçvarski, tha se ky projekt përfshin ndërtimin e 120 kilometra akse të reja të autostradës për çka janë paraparë që të shpenzohen 244 milion euro. Drejtori i IRD Engineering, Paolo Orsini, para nënshkrimit të marrëveshjes tha se do të bëhen të gjithë përpjekjet që këto akse të ndërtohen me cilësi më të lartë.

“Do të angazhohemi maksimalisht për ndërtimin e katër akseve me standard më të lartë dhe cilësi që do t’i përshtaten cilësisë së rrugëve që ndërtohen në BE”, tha Paolo Orsini, drejtor IRD inzhenering.

Ky projekt e përfshin ndërtimin e akseve Trebenishtë-Strugë-Qaf Thanë me gjatësi prej 22,5 km, Gostivar –Bojkoçanë me gjatësi prej 30,1km, Tteovë-Gostivar, 27 km dhe aksi i korridorit 10-D, Prilep-Manastir me gjatësi prej 43,4km.