Ndërtesa më e re në Tiranë do të ketë formën e kokës së Skënderbeut

TË FUNDIT

Rrokaqielli më i ri në qendër të Tiranës pranë 15-katëshit është modeluar sipas bustit të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Studio holandeze MVRDV ka nisur ndërtimin e një godine multi-funksionale në Tiranë me 85 metra lartësi që zyrtarisht do të njihet si ‘Shkëmbi i Tiranës’ ose Ndërtesa Skënderbeu.

Sipas studios arkitekturore, që në fillim ajo u projektua ‘për t’u dyfishuar si një skulpturë figurative e Kastriotit’.

Rokaqielli do të ndërtohet në sheshin Skënderbej, sheshi kryesor i Tiranës që mban po emrin e tij në qendër të kryeqytetit, së bashku me statujën e tij mbi kalë tek busti i së cilës është bazuar edhe dizajni i MVRDV.

Ndërtesa u porosit nga investitorët ANA dhe VI&VI për të festuar historinë kulturore të vendit dhe është duke u projektuar me firmën lokale të arkitekturës Sfera Studio.

Sipas informacioneve të publikuara në faqen zyrtare të MVRDV, “pasi të përfundojë, ajo do të përmbajë një nivel të hapësirës tregtare dhe katër nivele zyrash në pjesën më të gjerë të godinës që i ngjan shpatullave të Kastriotit.

Mbi të do të jenë 20 kate apartamente banimi, që zënë pjesën e sipërme të pallatit që është modeluar në kokën e tij.”

MVRDV është një studio arkitekturore me famë ndërkombëtare e bazuar në Roterdam e cila u themelua në vitin 1991 nga Maas dhe arkitektët Jacob van Rijs dhe Nathalie de Vries.