Ndërron jetë fituesi i çmimit Nobel dhe zbuluesi i HIV-it, Luc Montagnier

TË FUNDIT

Ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare virologu francez, Luc Montagnier, i cili në vitin 2008 fitoi çmimin Nobel në Mjekësi për zbulimin e HIV-it që shkakton sëmundjen AIDS.

Montagnier ka ndërruar jetë në Spitalin Amerikan në qytetin Neuilly-Sur-Seine në afërsi të Parisit më 8 shkurt ndërsa për shkakun e vdekjes së tij ende nuk është bërë ndonjë deklaratë.

Shkencëtari francez kohët e fundit ka qenë shënjestër e kritikave për deklaratat e tij kundër COVID-19 dhe vaksinës.

Luc Montagnier dhe Françoise Barre-Sinoussi, falë studimit të vitit 1983 ku zbuluan virusin HIV-in që shkakton AIDS-in, fituan çmimin Nobel në Mjekësi.

Kujtojmë se nga viti 1972 deri në 2000, Montagnier ka qenë drejtues i Njësisë së onkologjisë virale të Institutit Pasteur në Francë dhe drejtor nderi i Qendrës Kombëtare për Kërkime Shkencore (CNRS)./AA/