Ndërpritet protesta në “Higjienën Komunale”/ Mazneva: 3 ditë ishim nën bllokadë të strukturave mafioze

TË FUNDIT

Kështu dukej mëngjesin e sotëm kryeqyteti i vendit. Kontejnerë të stërmbushur dhe qytet i pa pastruar që kundërmonte erë të keqe, derisa në orët e pasditës punëtorët e NP “Higjiena komunale” vendosën të ndërprenë grevën dhe të fillojnë me punë.

“Ishim në sindikatë dhe marrëveshja është që të fillojmë me punë dhe në mënyrë institucionale t’i kërkojmë të drejtat tona, të vazhdojmë me të drejtat tona, do ta shohim se a do t’i realizojmë nëpërmjet grevës ose nëpërmjet protestave në rrugë. Po për këtë do të vendos kryesia e sindikatës”- deklaroi Deli Dardhishta, kryetar i sindikatës në NP “Higjiena Komunale”.

 

Nga sindikata thonë se nuk kanë kontakt me drejtorëshën Mazneva, por përsëri do të mundohen që nëpërmjet sindikatës të kërkojmë takim me të, me shpresë se do të arrijnë deri te një marrëveshje. 

Sipas drejtoreshës Kosana Mazneva, ndërmarrja “Higjiena Komunale” për 3 ditë ka qenë nën bllokadë nga strukturat mafioze që sipas saj tashmë puna me mafiozët ka përfunduar dhe ndërmarrja përsëri është në funksion.

“Kjo ishte një bllokadë e instrumentuar politikisht, kishte qëllim të vetëm prishjen e kredibilitetit tim, prishjen e kredibilitetit të ndërmarrjes dhe prishjen e personalitetit personal dhe  profesional të kryetares Arsovska”- Kosana Mazneva, drejtoreshë e NP “Higjiena Komunale”.

Edhe Mazneva po edhe kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska siguruan se për afat shumë të shkurtër i gjithë qyteti do të pastrohet.

“Ju siguroj se nuk do të ekzistoj asnjë komunë ku nuk do të pastrohen mbeturinat. Për këtë ju siguroj. Është filluar me rrugët kryesore të qytetit, do të punojmë 24 orë dhe do të punojmë aq sa është e nevojshme, pa pushim vetëm e vetëm që t’ju shërbejmë qytetarët e Shkupit”- deklaroi Kosana Mazneva, drejtoreshë e NP “Higjiena Komunale”.

“E gjithë ndërmarrja publike është jashtë, shtabi i krizës dhe të gjitha ndërmarrjet tjera publike “Rrugë dhe rrugica”, “Parqe dhe Gjelbërime”,  “Ujësjellësi” të gjithë janë jashtë dhe po punojnë, nuk mundemi ta kompensojmë për 5 orë atë që këto mafiozë e bën për 3 ditë.”- tha Danella Arsovska, kryetare e Qytetit të Shkupit.

 

 

Punëtorët e “Higjienës komunale” që nga e premtja ishin në grevë dhe kërkonin rritje për 30% të pagave, K-15 dhe kushte më të mira për punë. Si pasojë e kësaj, në gjithë qytetin u krijuan deponi të vogla mbeturinash. Sa kaq mbrëmë përsëri ka pasur tensione dhe eskalim të situatës para Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale” dhe disa persona janë ndaluar nga policia.