Fitimet e ndërmarrjeve industriale të Kinës mbi përmasat e përcaktuara u rritën gjatë gjysmës së parë të këtij viti me 18.7 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vjetshme, sipas të dhënave të Zyrës Kombëtare të Statistikave të publikuara të hënën.
Vlera e përbashkët e fitimeve të këtyre ndërmarrje industriale, me të ardhura vjetore nga veprimtaria kryesore të paktën 20 milionë juanë (2.95 milionë dollarë), arriti në 3.95 trilionë juanë (583.28 miliardë dollarë) në periudhën janar-qershor, sipas të dhënave.
Prodhimi industrial mbeti i qëndrueshëm, ndërsa shtytësit e rinj të rritjes vazhduan të zgjerohen me shpejtësi, duke dhënë një mbështetje të fortë për shtimin e fitimeve, tha Yu Weining, kryestatisticien në Departamentin e Industrisë pranë Zyrës Kombëtare të Statistikave.
Të ardhurat operative të ndërmarrjeve industriale u ngritën me 6.5% në bazë vjetore, në sfondin e rritjes së qëndrueshme të prodhimit dhe mëkëmbjes së vazhdueshme të çmimeve të produkteve industriale.
Sektori i pajisjeve elektronike ishte një forcë kryesore nxitëse e rritjes. Me inteligjencën artificiale që po integrohet gjithnjë e më shumë në industri të ndryshme, dhe kërkesën për fuqi kompjuterike që po rritet me shpejtësi, fitimet në industrinë e pajisjeve elektronike u ngritën me 96.9%, duke kontribuuar me 8.5 pikë përqindjeje në rritjen e përgjithshme të fitimeve.
Shtytësit e rinj të rritjes nxitën gjithashtu fitimet në industritë përkatëse. Fitimet në prodhimin e gomës së ricikluar dhe produkteve të grafitit e të karbonit u rritën përkatësisht me 133.3% dhe 61%.
Sipas llojit të pronësisë, fitimet e ndërmarrjeve industriale aksionare u ngritën me 24.7 % në baza vjetore, të ndërmarrjeve industriale shtetërore me 17.9 % dhe të ndërmarrjeve private me 13 %.
