Ndarja e “hises” në Qytetin e Shkupit, Sela: Përfaqësimi i shqiptarëve të Shkupit do të avancohet

TË FUNDIT

Një drejtori dhe tre poste të zëvendësdrejtorit pritet t’i takojnë Aleancës për Shqiptarët në Qytetin e Shkupit, pas Vitit të Ri. Kështu deklaroi deputeti i kësaj partie Elmi Aziri në emisionin Click Plus në TV21. Aziri thotë se emërimet janë në procedurë dhe se do të bëhen së shpejti.

 “Më duket se një drejtori dhe tre zëvendësdrejtorë, por është pushtet goxha serioz“, tha Elmi Aziri, deputet i Aleancës për Shqiparët.

Kreu i opozitares Aleanca për Shqiptarët Ziadin Sela pretendon për më shumë drejtori. Sela tha se niveli i përfaqësimit të shqiptarëve të Shkupit nga ASh do të ketë kujdes që të ruhet dhe të avancohet.

 “ASH deri tani sa flasim do t’i ketë dy drejtori në kuadër të Qytetit të Shkupit, do të ketë tre zv/drejtorë. Natyrisht drejtorë të shkollave do të jenë katër ose pesë të shkollave të mesme, të cilat menaxhohen nga Qyteti i Shkupit, kuptohet që janë edhe shkolla fillore që poashtu menaxhohen nga komuna tjera brenda për brenda Qytetit të Shkupit, Gazi Babë, Butel, Gjorçe, Karposh, shkolla në Nerez”, tha Ziadin Sela, kryetar i ASh-së.

Nuk dihet se cilat drejtori saktë do t’i merr opozitarja shqiptare. Ndërkaq pikërisht sot u emërua edhe u.d. drejtor i N.P. Ujësjellësi dhe Kanalizimi-Shkup Zllatko Perinski. Nga tetë ndërmarrjet publike me sa disponon Shkupit, Arsovska deri tani ka emëruar 7 drejtorë të ri dhe asnjëri prej tyre nuk është nga blloku politik shqiptar, tani për tani pa drejtor ka ngelur vetëm N.P. Higjiena Komunale.

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska mohon se ka marrëveshje me Aleancën për Shqiptarët dhe Alternativën për emërime të drejtorëve në ndërmarrjet publike. Ajo thotë se me rëndësi është cilësia. Ndryshe në kuadër të Qytetit të Shkupit funksionojnë gjithsej 8 ndërmarrje publike, 8 ndërmarrje kulturore publike dhe 22 shkolla të mesme.