Ndalesa për mësim të çrregullt në mjekësi/A e parandalon kjo masë ikjen e kuadrove të reja mjekësore?

TË FUNDIT

Edhe pse numrat flasin se ka mungesë të kuadrove mjekësore në vend, Ministria e Arsimit mori vendim që për dy vitet e ardhshme të mos ketë regjistrime të çrregullta në shkollat e mesme profesionale të mjekësisë. Sherif Mustafa nga Qendra për Edukim Profesional dhe Trajnim thotë se nxënësit vazhdojnë të jenë më së shumti të interesuar për drejtimet e mjekësisë, megjithatë nuk përgjigjet se si do të ndikojë vendimi i Ministrisë për ndalesën për regjistrime të çrregullta.

“Ne jemi kompetent vetëm si këshillëdhënës dhe të shohim se me çfarë problemesh ballafaqohen shkollat e mesme. Dhe mendoj se më mirë në këtë pyetje do të përgjigjet Ministria e Arsimit”, tha Sherif Mustafa, drejtor në Qendrën për Edukim Profesional dhe Trajnim.

E në arsyetimin e tyre, nga Ministria e Arsimit thonë se ky vendim është në interes të krijimi të kuadrove sa më profesionale, por edhe parandalimin e ikjes së fuqisë punëtore nga vendi.

“Ky vendim është në përputhje me përpjekjet e shtetit për të parandaluar ikjen e fuqisë punëtore, e cila mungon dukshëm në sektorin e shëndetësisë. Statistikat tregojnë se në mësim të çrregullt mjekësorë kryesisht regjistrohen qytetarë të rritur, me qëllim rikualifikimin dhe kërkimin e punësimit jashtë vendit”, thonë nga Ministria e Arsimit.

Por ndryshe mendon ish-zëvendësministri i Arsimit Lulzim Aliu sipas të cilit ne vend se shteti t’ua shkurtojë mundësitë qytetarëve, duhet t’u ofrojë kushte me të cilat ata vetë do të vendosnin të qëndronin në vend.

Nuk besoj se do të jep ndonjë efekt pozitiv për t’i parandaluar të rinjtë që të mos largohen. Mendoj se janë kushtet tjera dhe pastaj çështja e punësimit dhe pas mbarimit të shkollimit ato të cilat ndikojnë që të rinjtë tanë të vendosin për t’u larguar. Ata të cilët e kanë ndarë mendjen për të studiuar apo për të punuar jashtë vendit sigurisht se do të gjejnë mekanizmat, mënyrën dhe rrugët e tyre për tu larguar”, deklaroi Lulzim Aliu, ish zëvendësministër i arsimit.

Përndryshe, sipas Shoqatës së Mjekëve të Maqedonisë çdo vit nga vendi largohen rreth 240 mjekë, ndërsa mungojnë rreth 8000 infermiere.