Ndahet nga jeta Karel Shvarcenberg, politikani çek i lëvizjeve kundër komunizmit

TË FUNDIT

Ish-Ministri i Jashtëm i Çekisë, Karel Shvarcenberg (o. Schwarzenberg), një nga figurat kryesore të tranzicionit të vendit nga komunizmi në demokraci, u nda nga jeta të dielën në moshën 85 vjeç.

Shvarcenbergu lindi në një familje çeke dhe u bë ndihmësi kryesor i mikut të tij, Vaclav Havel, pasi ish-disidenti fitoi zgjedhjet e para të lira të vendit në 1990.

Ai shërbeu dy herë si ministër i Jashtëm ndërmjet viteve 2007 dhe 2013.

Shvarcenbergu ishte mbështetës i fortë i integrimit më të ngushtë në Evropë dhe megjithëse kishte bindje konservatore, apeli i tij shtrihej te grupet liberale urbane dhe të rinjtë në politikë.

Ai e kaloi pjesën e madhe të jetës së tij në mërgim, pasi familja e tij ishte shënjestër kryesore e komunistëve që morën pushtetin me grusht shteti në vitin 1948 dhe konfiskuan pronat e tyre, përfshirë kështjellë, pyje dhe tokë bujqësore kryesisht në jug të vendit afër kufirit me Austrinë.

Ndërsa ishte në mërgim në Austri, ku përfundimisht trashëgoi pasurinë e familjes, ai mbështeti lëvizjen antikomuniste të të drejtave të njeriut dhe sponsorizoi një bibliotekë të letërsisë së ndaluar çeke.

Pas Revolucionit të Kadifenjtë të vitit 1989, i cili rrëzoi paqësisht sundimin komunist në Çekosllovakinë e atëhershme, Shvarcenbergu u bë shefi i shtabit i Havelit.

Në vitin 2013, Shvarcenbergu kandidoi për president, por humbi ndaj Milos Zemanit, një tjetër figurë e njohur e politikës çeke pas vitit 1989, i cili përfundoi mandatin e dytë presidencial në fillim të këtij viti.