Tri ditë pas ceremonisë në qytetin e Hiroshimës, ku u kujtua 70 vjetori i sulmit të parë bërthamor në historinë e njerëzimit, edhe qyteti i dytë në Japoni, Nagasaki, shënoi sot 70 vjetorin e sulmit bërthamor kundër këtij qyteti, si pasojë e të cilit u vranë 74 mijë njerëz.
Në Japoni sot u shënua 70 vjetori i sulmit bërthamor të ndërmarrë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në qytetin Nagasaki, si pasojë e të cilit humbën jetën mbi 74 mijë njerëz.
Me dhjetëra mijëra njerëz, përfshirë këtu edhe të mbijetuarit dhe të afërmit e viktimave, shënuan këtë përvjetor me një minutë heshtje në orën 11:02 minuta sipas kohës lokale, pikërisht në momentin kur bomba ra në Nagasaki më 9 gusht të vitit 1945.
Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, i shoqëruar nga 75 përfaqësues të shteteve, që morën pjesë në këtë ceremoni, përfshirë këtu edhe ambasadoren amerikane në Tokio, Kerolin Kenedi, vendosi një kurorë në përmendoren kushtuar viktimave.
Gjatë fjalimit të tij, Abe tha se Japonia do të vazhdojë ti përmbahet parimit se nuk do të prodhojë, nuk do të posedojë dhe nuk do të lejojë stacionimin e armëve bërthamore në territorin e vet.
Japonia nënshkroi kapitullimin më 15 gusht, me të cilin akt edhe zyrtarisht përfundoi Lufta e Dytë Botërore dy javë më vonë, më 2 shtator.
Tri ditë para Nagasakit, më 6 gusht të vitit 1945, një aeroplan amerikan hodhi bombën bërthamore në Hiroshimë, ku u vranë së paku 140 mijë njerëz.
Në Nagasaki u hodh bomba e quajtur Njeriu i Trashë dhe ajo kishte një fuqi edhe më shkatërrimtare, se bomba e hedhur në Hiroshimë.
Deri me tani, asnjë president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk ka vizituar Hiroshimën dhe Nagasakin./ 21 Media
