Muzeu i Memet Pashë Derallës akoma askund!

TË FUNDIT

Gjendemi në shtëpinë e Halim Bej Derallës djalit më të madh të ministrit të parë të luftës Memet Pashë Deralla, kjo shtëpi  ka vite që është duke u premtuar se do shndërrohet në një muze për Memet Pashë Derallën. Punët kanë filluar në vitin 2015 edhe pse iniciativa është marrë në vitin 2009 por edhe sot e kësaj dite kjo shtëpi mbetet e mbyllur për qytetarët.

Në bazë të të dhënave zyrtare të marra nga  qendra për konservim, elaborati për rinovimin e Shtëpisë së Halim Derallës është përgatitur në vitin 2009. Në vitin 2015 zgjidhet kompania Ak Invest e cila do të duhej të fillonte me punë. Gjatë vitit 2016 filluan punimet për rikonsrimin, por kaq.

 “Nga viti 2016 në këtë shtëpi janë kryer këto punë: rindërtimi i kulmit, përforcimi strukturor i paneleve të murit dhe strukturave të katit, përfundimi i sipërfaqeve të murit, dyshemesë dhe tavanit në hapësirën e brendshme. Përpunimi i bazamentit të fasadës, rehabilitimi i shkallëve prej guri, piedestaleve dhe parmakëve të shkallëve. Trotuari mbrojtës me gjerësi 60 cm, i shtruar me pllaka guri”, thonë nga Qendra Naionale për Konservim.

Por nga Qendra nacionale për konservim thonë se tani për tani kanë ngelur edhe disa çështje si instalimi i ujit, rrymës elektrike dhe ventilimit që do të duhet të instalohen në bazë të një standardi të muzeve. Punët janë duke vazhduar edhe gjatë vitit 2021 dhe  realizmi i këtyre punëve është paraparë edhe në programin e qendrës për konservim.

Por kush ishte Halim Deralla?

Halim Deralla ishte djali më i madh i Memet Pashë Derallës, gjeneralit të Ushtrisë Osmane i cili e braktis këtë gradë për tu bashkuar me patriotët që po themelonin shtetin shqiptar. Në vitin 1912 u zgjodh ministër i luftës  në Qeverinë e Ismail Qemalit. Ndërsa i ati Hasan Deralla ishte delegat i Tetovës në Lidhjen e Prizrenit në vitin 1878.

Shtëpia e Halim Beut ka historikun e saj të veçantë, si nga stili arkitekturor, ashtu edhe për nga rëndësia historike, që flet për kohën kur Halim Beu ishte si deputet i Tetovës në Parlamentin e Beogradit. Aty është pritur dhe Ahmet Zogu para kthimit të tij në Shqipëri, në vitin 1925. Me vendosjen e monarkisë në Shqipëri në vitin 1928, Halim bej Deralla e mbylli shtëpinë dhe u shpërngulën në Tiranë. Kjo dyndje ndodhi shkaku i tre përpjekjeve të pasuksesshme për atentat ndaj Halimit, me çka edhe vjen ftesa nga Mbreti Zog për Halim Beun dhe familjen e tij, për t’u vendosur në Tiranë. Pas një kohe, Halim beu vdiq në Tiranë, në vitin 1932. Kjo shtëpi një kohë të gjatë ka shërbyer si spital në Tetovë. Ndërsa deri më sot është premtuar disa herë se ky objekt do të jetë një muze për familjen Deralla dhe sidomos për Memet Pashë Derallën por edhe sot e kësaj dite kjo shtëpi që në vete ka shumë histori për brezat e ardhshëm pret jetësimin e premtimeve të shkruara në programet politike të çdo cikli zgjedhor.