Pronari i SpaceX, Tesla-s dhe platformës “X”, Elon Musk, ka konfirmuar se planifikon ta padisë Apple-in, pasi kjo kompani nuk ka përfshirë “X” dhe çetbotin “Grok” mes aplikacioneve më të rekomanduara në App Store.
“Ej, Apple App Store, pse refuzoni ta vendosni ‘X’ ose ‘Grok’ në seksionin tuaj ‘E detyrueshme’, kur ‘X’ është aplikacioni numër një për lajme në botë, ndërsa ‘Grok’ renditet i pesti mes aplikacioneve? A po luani politikë? Çfarë fitoni? Mendjet kureshtare duan të dinë,” shkroi Musk.
“Grok” është pronë e startup-it për inteligjencë artificiale të Musk, xAI. Sipas tij, “Apple po vepron në një mënyrë që pengon çdo kompani të AI-së, përveç OpenAI-t, të arrijë në vendin e parë në App Store, gjë që përbën një shkelje të qartë të ligjeve antitrust. xAI do të ndërmarrë veprime të menjëhershme ligjore.” Musk nuk dha më shumë detaje.
Apple është përballur edhe më parë me akuza për shkelje të ligjeve antimonopol. Në prill, Komisioni Evropian e gjobiti me 500 milionë euro për shkelje të detyrimeve sipas Aktit Evropian të Tregjeve Digjitale. Në atë rast, problemi ishin përsëri kushtet e padrejta në App Store.
Hetimet treguan se Apple u ndalon zhvilluesve të aplikacioneve të ofrojnë drejtpërdrejt për konsumatorët oferta jashtë App Store-it. Kjo i pengon përdoruesit të përfitojnë nga alternativa më të favorshme, pasi zhvilluesit nuk lejohen t’i informojnë ata për to.
