Musk ofron propozimin e tij për tensionet Tajvan-Kinë

TË FUNDIT

Miliarderi, Elon Musk, ka sugjeruar se tensionet në mes të Kinës dhe Tajvanit mund të zgjidhen nëse Pekini fiton një lloj kontrolli mbi Tajvanin.

Ai i ka bërë këto komente disa ditë pasi ka prezantuar në Twitter idenë e tij për dhënie fund të luftës së Rusisë në Ukrainë.

“Rekomandimi im do të ishte që të krijohej një zonë e posaçme administrative për Tajvanin, diçka shumë e pëlqyeshme, por që nuk do të bënte të gjithë të lumtur”, ka thënë njeriu më i pasur në botë, gjatë një interviste për Financial Times.

Musk ka qenë duke u përgjigjur në një pyetje për Kinën, ku kompania e tij Tesla e ka një fabrikë të madhe në qytetin e Shangait.

Pekini pretendon se Tajvani është pjesë e tij dhe do ta fitojë kontrollin e këtij territori, qoftë edhe përmes forcës.

Qeveria e Tajvanit kundërshton ashpër pretendimet e Kinës dhe beson se ky ishull me 23 milionë banorë duhet të vendosë vetë për të ardhmen që dëshiron ta ketë.

“Është e mundshme, besoj që po, ata mund të arrijnë marrëveshje që është e përshtatshme sesa ajo e Hong Kongut”, është cituar të ketë thënë Musk.