Mungesa e ngrohjes, ndërpritet mësimi në Çair! Nesër pritet të arrihet marrëveshje mes EMV-së dhe Ngrohtores

TË FUNDIT

Ngrohtorja Shkup-Veri përsëri ka telashe. Nga e premtja objektet që janë të kyçura në sistemin e ngrohjes qendrore, amvisëritë, institucionet arsimore e shëndetësore janë në të ftohtë. Sot shkollat e ndërprenë procesin mësimor.

“Mungesa e ngrohjes ka bërë që arsimtarët t’i lëshojnë nxënësit që nga ora e dytë e mësimit, kjo po ndodh në Komunën e ­Çairit dhe të Butelit, të cilët janë të kyçur me ngrohtoren Shkup-Veri”, raporton Alemdina Ismajli, gazetare.

Drejtori i Shkollës së mesme “Cvetan Dimov” Visar Duraku tha se nuk kanë informacione se kur do të zgjidhet problemi.

“Duke pasur parasysh se prej dje nuk kemi nxehje jemi drejtuar menjëherë te ngrohtorja Shkup-Veri, na informuan se nuk do të kemi nxehje edhe sot. Nxënësit në orën 7:30 të mëngjesit kanë qenë në mësim, jemi mundu t’i mbajmë deri sa kemi pasur mundësi, sa na kanë lejuar kushtet klimatike dhe prej orës dytë ose të tretë nxënësit kanë shkuar në shtëpi”, pohoi Visar Duraku, drejtor i SHMQSH “Cvetan Dimov”.

I ftohti është i papërballueshëm edhe për amvisëritë, ndonëse paguajnë me rregull faturat, qytetarët thonë se ndodh shpesh që të kenë shkëputje të ngrohjes.

“Problem kryesor është që ne jemi njerëz familjarë, kemi pleq dhe fëmijë të cilët nuk mund edhe ta përballojnë. Ne ngrohemi për momentin me mjete alternative por nuk është në rregull sepse ne paguajmë verë e dimër ngrohje, ndërsa pikërisht kur duhet të kemi ne nuk kemi”, deklaroi Hajrush Mani, banor i zonës Shkup-Veri.

Për ta tejkaluar situatën me krizën financiare që ka SHA Shkup-Veri, ka dashur që në vend të gazit i cili si lënde djegëse është shumë më i shtrenjtë të vazhdojë me mazut, mirëpo nga Qyteti i Shkupit nuk ia lejojnë.

“Kemi folur me drejtorin që deri në fund të janarit mos të kemi problem rreth kësaj problematike. Ai na ka siguruar që ka garantuar mazut dhe do të funksionojë me mazut, por pa pritmas, u ka ardhur shkresa nga Qyteti i Shkupit dhe është ndërprerë dhe ky është problem shtesë që duhet ta menaxhojmë bashkërisht”, pohoi Visar Ganiu, kryetar i komunës së Çairit.

Të shqetësuar shprehen edhe nga Komuna e Butelit, thonë se në çerdhe po përdorin mjete alternative për ngrohje ndërsa mësimi në shkolla po zhvillohet me orë të shkurtuara.

Drejtori i Shkup Veri, Kushtrim Ramadani për TV21 premton se deri nesër do të ketë zgjidhje me ngrohjen, me çka pritet që përfundimisht të nënshkruajnë marrëveshjen e shumë pritur për ndihmë nga EMV-ja. Ramadani shprehet i habitur që Qyteti i Shkupit nuk po e lejon të përdor mazutin edhe pse thotë se dokumentet i ka në rregull. Vjet në Maqedoninë e Veriut janë djegur rreth 104 mijë tonë mazut, ndërsa ne nuk na lejojnë të djegim rreth 10 tonë, përfundon ai.

error: Content is protected !!