Në Gostivar vazhdon procesi i hiperklorimit të ujit, ndërsa kryeministri pret që së shpejti qytetarët të kenë ujë që mund të përdoret edhe për pirje dhe gatim. Sipas Mickoskit, problemi ka ardhur si pasojë e punës së papërgjegjshme të disa të punësuarve në ndërmarrjen publike, të cilët, siç tha ai, kanë futur ujë nga lumi në rezervuarin kryesor. Ai pret zgjerimin e hetimit për rastin me ujin në Gostivar.
“Kemi pasur punë të papërgjegjshme të të punësuarve në ndërmarrjen publike “Ujësjellësi”, të cilët drejtpërdrejt me gypa dhe pompa kanë transferuar ujë nga lumi në rezervuarin kryesor. Për këtë Prokuroria ka vepruar dhe po vepron, ndërsa tashmë kemi persona të siguruar, të intervistuar dhe kështu me radhë. Pres që të kemi edhe zgjerim të hetimit. Përgjegjësia është lokalizuar dhe po ndërmerren masa”, tha Mickoski.
LSDM-ja ka vazhduar me akuzat, duke thënë se për shkak të “patriotëve të tenderëve” Klekovski dhe Mickoski, është helmuar e gjithë Maqedonia. Sipas tyre, në mbi 50 vendbanime në vend uji nuk është i sigurt për pirje, ndërsa lista po zgjerohet çdo ditë. Ata paralajmërojnë se në Gostivar ekziston rrezik për epidemi të verdhëzës.
“Ende nuk publikohet raporti për ujin në Gostivar, kush e ka miratuar, nënshkruar dhe kush garanton se ‘uji teknik’ është i sigurt. Ndërsa Mickoski dhe Klekovski japin deklarata kontradiktore. Klekovski thotë se deri në fund të javës uji në Gostivar do të mund të pihet, ndërsa Mickoski thotë se ekziston një bakterie e re. Ky është kolaps total institucional. Rezultat i paaftësisë, neglizhencës dhe injorimit të plotë të nevojave themelore të qytetarëve nga ana e patriotëve të tenderëve”, tha Maja Serafimovska Borozan
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë njoftoi se gjendja me epideminë në Gostivar është stabile. Më 31 korrik janë regjistruar gjithsej 60 kontrolle të para. Edhe pse është shënuar rritje ditore, sipas Ministrisë, trendi i përgjithshëm mbetet dukshëm më i ulët krahasuar me kulmin e 18 korrikut, kur ishin evidentuar 649 kontrolle.
Nga Ministria informojnë se nga 14 deri më 31 korrik janë regjistruar gjithsej 4.543 kontrolle të para. Deri tani janë pranuar 1.028 paraqitje zyrtare për sëmundje infektive dhe janë përgatitur 730 anketa të reja epidemiologjike, me përfshirje prej 71 për qind.
