MPJ përgatit evakuim për nesër! VLEN dhe BDI mbështesin veprimet e ShBA-ve

TË FUNDIT

Mbetet në fuqi apeli i MPJ që qytetarët të mos udhëtojnë në vendet e Lindjes së Mesme për shkak të, siç vlerësojnë, gjendjes së përkeqësuar të sigurisë. Nga kjo ministri informojnë se nga fillimi i krizës numri i përgjithshëm i qytetarëve tanë që janë të interesuar për evakuim është 25.

“Për nesër është konfirmuar evakuimi i katër personave, përkatësisht një familje (një nënë dhe tre fëmijë). Vendet janë siguruar përmes Ministrisë së Izraelit për transport, në suaza të fluturimeve të organizuara që shfrytëzohen për evakuim të shtetasve të huaj nga Izraeli. Fluturimi është planifikuar nga Tel Avivi deri në Athinë”, thanë nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Nga MPJ shtojnë se janë në komunikim të vazhdueshëm me shtetasit që janë ende në rajon. Kriza eskaloi pasi që në veprimet ushtarake mes Izraelit dhe Iranit u kyç edhe SHBA. Akti i tillë i Uashingtonit zyrtar u përshëndet edhe nga një pjesë e partive të vendit tonë.

“Shteti ynë, VLEN mbështesin përpjekjet e partnerëve strategjikë për mbrojtjen e sigurisë globale. Si subjekt politik serioz pjesë e pushtetit, jemi kundër përhapjes dhe përdorimit të armëve bërthamore si dhe kundër kërcënimeve bërthamore, dhe në këtë drejtim japin mbështetje për veprimet e fuqishme dhe të vendosura si dhe diplomacinë e partnerëve…”, thanë nga VLEN-i.

Nga BDI përsëri theksuan se padyshim duhet të vazhdohet partneriteti me SHBA-të, NATO-n dhe BE-në.

“Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësimin e thellë për përshkallëzimin e situatës në Lindjen e Mesme dhe mbështet përpjekjet e koordinuara të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre për të parandaluar përhapjen e armëve bërthamore në duar të regjimeve autoritare. Zhvillimet e fundit tregojnë se bota demokratike nuk mund të qëndrojë duarkryq përballë rrezikut të një Irani të armatosur bërthamor…”, thanë nga BDI.

Pasi që u sulmuan një pjesë e stacioneve nukleare në Iran, vendet fqinje informuan se tek ta nuk është regjistruar nivel i lartë i rrezatimit.