MPB me procedurë penale për Drin Ahmetin / Spasovski: Kemi njoftuar Prokurorinë për dyshimet tona, ata do të vendosin

TË FUNDIT

Ministria e Punëve të Brendshme ka ndërmarrë të gjitha aktivitetet e nevojshme në aspekt policor. Kështu u shpreh ministri i brendshëm Oliver Spasovski sa i përket arrestimit të Drin Ahmetit i cili u kap me sasi të madhe të mjeteve piroteknike. Spasovski njofton se të gjitha mjetet i janë konfiskuar ndërsa është ngritur procedurë deri te Prokuroria Publike.


“Ne ndërmorëm të gjitha aktivitetet e nevojshme në aspekt policor. Janë konfiskuar të gjitha mjetet që u gjetën. Kemi ngritur procedurë deri te Prokuroria Publike. Prokuroria Publike do të vlerësojë se si më tej do të veprohet për këtë rast”, tha Spasovski.

Neni 396 nga Kodi Penal parasheh dënim me burg prej një deri në dhjetë vjet për të gjithë ata që pa leje përpunojnë, shesin, mbajnë, blejnë apo këmbejnë armë zjari, municion apo materje eksplozive. Në pyetjen nëse edhe Ahmeti do të përndjeket sipas këtij neni, Spasovski u përgjigj:

“Ne kemi dorëzuar njoftim deri te Prokuroria Publike sa i përket dyshimeve tona edhe për këtë nen mirëpo duhet të kihen parasysh të gjitha faktet dhe dëshmitë dhe në bazë të tyre Prokuroria do të sjellë vendim”.

Prokuroria Publike tanimë është njoftuar për rastin në fjalë dhe sipas njoftimit për media, do të veprojnë në bazë të fakteve që do të vërtetohen nga ekspertiza.

“Për ngjarjen është njoftuar prokurori publik. Varësisht prej fakteve që do të vërtetohen me ekspertizën e mjeteve të gjetura piroteknike, prokurori publik do të vendosë për procedurën e mëtejme”, thanë nga Prokuroria.

Përfshirë mjetet që iu konfiskuan Drin Ahmetit, MPB gjithsej nga aksionet që ka ndërmarë në periudhën e fundvitit, ka konfiskuar mbi 100 mijë mjete piroteknike.