MPB DETEKTON PERSONIN QË PUBLIKON “BOMBA", “EL CHEKA” IRONIZON: PROFILI IM ËSHTË PUBLIK

TË FUNDIT

Publikimi i përgjimeve të reja në internet dëshmon se incizime të paligjshme  posedojnë shumë persona dhe se janë të shpërndara gjithandej. Në incizimet e fundit që u publikuan në facabook nga personi i ashtuquajtur El Cheka dëgjohen bisedimet e disa ish-funksionarëve të BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se tashmë e kanë të njohur personin në fjalë dhe se pas zbardhjes tërësisht të rastit do te ngrihet padi penale. Gjithashtu thonë që kanë informuar edhe personat kompetent në rrjetin social Facebook, se nëpërmjet rrjetit  të tyre janë publikuar përmbajtje ilegale.

“Sektori ynë për krim kompjuterik po punon në rastin. Mbrëmë informuam se është detektuar personi që i publikon, dhe në bazë të procedurave të Prokurorisë Publike ,ndihmës ndërkombëtare dhe nëpërmjet bashkëpunimit policor ndërkombëtare do të udhëhiqen procedura për ballafaqim me situatën”, tha Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

Ndërsa personi i ashtuquajtur El Cheka, përmes një shkrimi në statusin e tij të facebook ka ironizuar lajmet se është zbuluar identiteti i tij, madje duke apostrofuar BDI-në.

“Budallallëku i BDI-së nuk ka fund, më paskan zbuluar? Mirëpo, në profilin tim janë foto e mia personale! Edhe këtë e quani krim! Derisa vrasjet e ushtarëve të UÇK-së dhe  shqiptarëve nuk janë krime? Do të ngritni padi penale? As nuk ju llogaris! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe Amerikën”, shkruan El-Cheka, personi që i publikon “bombat”.

Nga Prokuroria Publike thonë se pas zbardhjes tërësisht të rastit, Ministria e Punëve të Brendshme duhet të ngre padi penale, ndërsa më tej do të procedojë Prokuroria Publike.

“Në lidhje me videot incizimet që janë publikuar Prokuroria publike ka dhënë urdhër deri tek Ministria e Punëve të Brendshme për kryerjen e kontrollove dhe të bëhet verifikimi i informacioneve për kryerësin e veprës. MPB në përputhje me kompetencat ligjore duhet të ndërmarrë veprimet e mëtutjeshme”, thonë nga Prokuroria Publike.

Ndryshe i ashtuquajturi “El Cheka” i cili gjendët në Amerikë edhe sot ka vazhduar me publikimin e incizimeve të paligjshme, për ta cilat thotë se po ia dërgojnë nga burgu, anëtarët e grupit të Kumanovës. TV 21 kontaktoi drejtorin e burgun të  Shutkësm Gjoko Kotevski, për të  pyetur se si është e mundur që të burgosurit posedojnë celularë dhe vazhdimisht janë në kontakt më njerëzit jashtë burgjeve. Ai tha se tha se në përputhje me planin për bastisje , vazhdimisht kryhen kontrolle në qelitë e burgut dhe shumë shpesh tek të burgosurit janë gjetur mjetë të palejuara mes të cilave edhe celularë. Ai theksoi se edhe në burgjet më  moderne në botë  celularët janë sfidë e vërtetë për autoritet  burgjeve.

Përgatiti: Valmira Zendeli