Moti i acartë i shkakton probleme Ukrainës, 400 vendbanime mbetën pa rrymë 

TË FUNDIT

Gati 400 vende mbetën pa rrymë në Ukrainë për shkak të kushteve ekstreme të rënda të motit, njoftoi mbrëmë presidenti Volodomir Zelenski, përderisa infrastruktura elektrike ukrainase është nën kërcënim nga bombardimet ruse. 

Ukraina ka frikë nga fushata e re e madhe e sulmeve ruse ndaj infrastrukturës bazë këtë dimër, si edhe në vitin 2022, kur ato sulme lanë miliona njerëz në acar dhe errësirë. 

-Një pjesë e madhe e territorit të vendit tonë është kapluar nga kushte jashtëzakonisht të rënda të motit”, tha Zelenski në fjalimin e tij të mbrëmjes. 

Sipas tij, pa rrymë kanë mbetur rreth 400 vende në dhjetë zona, veçanërisht në jug të vendit. 

Ai premtoi që inxhinierët sa më shpejtë do ta kthejnë furnizimin me energji elektrike, ndërsa temperaturat janë dimërore, në disa vende ka edhe stuhi të borës. 

Nga e enjtja operatori kombëtar Ukrenergo informoi se situata është e “vështirë” për rrjetin elektrik për shkak të rritjes së konsumit me rënien e temperaturës. Për këtë Ukrenegro të mërkurën duhej të niste importin urgjent të energjisë elektrike nga tri vende fqinje të BE-së, Rumania, Sllovakia dhe Polonia. 

Ndërsa të shtunën kryeqyteti i Ukrainës ishte cak i sulmit më të madh të fluturakeve ruse pa pilot nga fillimi i luftës, ndërsa në goditjet përkohësisht pa rrymë mbetën dhjetëra objekte banesore. Sulmi ajror mund të jetë i pari në fushatën e re ruse. 

Në fillim të tetorit, Zelenski tha se Rusia do të bëjë përpjekje që të “shkatërrojë” sistemin elektrik të vendit të tij këtë dimër.

Që ta kundërshtojë këtë kërcënim, Kievi kërkon nga aleatët e tij perëndimorë sisteme të reja të mbrojtjes kundërajrore.