Mot me temperatura deri në 41 gradë

TË FUNDIT

Moti në vend do të jetë me diell dhe shumë i ngrohtë me vranësira të vogla lokale deri mesatare. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi veriperëndimor. Pasdite do të ketë kushte për paraqitje të izoluar të shiut dhe bubullimave të rralla.

Temperatura e mëngjesit do të sillet prej 15 deri 23 gradë, ndërsa ajo maksimale do të arrijë nga 33 deri në 41 gradë Celsius.

UV indeksi do të jetë 9.

Në Shkup, moti do jetë me diell me vranësira të vogla deri mesatare me erë të lehtë deri mesatare nga drejtimi verior. Temperatura e mëngjesit do të zbresë deri në 20, ndërsa ajo e ditës do të arrijë deri në 40 gradë.

Nën ndikimin e masës ajrore nga jugu, moti në ditët në vijim do të jetë shumë i ngrohtë me temperatura mbi mesatare për këtë periudhë të vitit. Më nxehtë do të jetë nesër dhe të premten kur temperaturat në disa vende të juglindjes do të tejkalojnë edhe 40 gradë. Edhe krahas motit të ngrohtë në ditët në vijim do të ketë kushte për paraqitje të izoluar të shiut të përkohshëm dhe bubullimave të rralla.