Moska vendos embargo ndaj Shqipërisë dhe Malit të Zi

TË FUNDIT

Moska zyrtare ka zgjeruar sot listën e shteteve, nga të cilat nuk guxohen të importohen prodhimet ushqimore. Krahas Islandës dhe Lihtenshtajnit, në këtë listë janë përfshirë edhe Shqipëria dhe Mali i Zi.
Kryeministri i Rusisë, Dimitri Medvedev, ka nënshkruar sot rezolutën për zgjerimin e importimit të prodhimeve ushqimore, duke përfshirë në këtë listë edhe Shqipërinë, Malin e Zi, Islandën dhe Lihtenshtajnin, ndërsa kushte të posaçme janë përcaktuar për ushqimin nga Ukrainë.
Siç njoftoi agjencia ruse e lajmeve Interfaks, ndalesa për importimin e prodhimeve ushqimore është zgjeruar edhe në shtetet, të cilat nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian, por të cilat kanë mbështetur sanksionet perëndimore kundër Moskës.
Medvedev pasi që nënshkroi rezolutën theksoi se tani shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, Australisë, Kanadasë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Norvegjisë, nga të cilat importi i prodhimeve ushqimore është ndaluar që nga gushti i vitit të kaluar, i janë shtuar edhe Shqipëria, Mali i Zi, Lihtenshtajni dhe Islanda. Sipas kryeministrit rus, këto shtete kanë mbështetur sanksionet e perëndimit kundër Moskës.
Javën e kaluar Rusia filloi shkatërrimin masiv të prodhimeve ushqimore, të importuara në mënyrë ilegale. Sipas autoriteteve ruse, që nga fillimi i këtij aksioni, ka rënë dukshëm importi ilegal i këtyre prodhimeve.