Moratoriumi për kafshët ekzotike në Kinë/ Besohet se konsumimi i gjitarëve të egër ndikoi në përhapjen e Covid-19

TË FUNDIT

Me përhapjen e infeksionit të kovidit-19 në Kinë dhe tashmë të 50 milionë vetave të tjerë në mbarë globin, Kina vendosi në shkurt të ndalojë shitblerjen e kafshëve ekzotike.

Shkencëtarët besojnë se korona virusi i ri e pati origjinën te lakuriqët e natës dhe mund të jetë përcjellë te njerëzit nëpërmjet një specieje të ndërmjetme si gjitarët pangolin.

Si vatër fillestare e koronavirusit u identifikua tregu i kafshëve të egra në qytetin e Uhanit.

Sfidë tashmë janë bërë shitjet nga interneti që po përdoren në mënyrë klandestine.

Në muajin shkurt, Pekini bëri të ditur se do e rishikojë kornizën e vet ligjore për këtë fushë.

Do ndalohet konsumimi i disa kafshëve të egra, por do vazhdojnë përjashtimet për qëllime mjekësore, siç është shitja e zhguallit të pangolinëve, kockat e leopardëve, lëkura e elefantit, dhe vreri i arinjve që disa mjekë tradicionalë kinezë besojnë se kurojnë sëmundje të ndryshme.

Në muajt e pandemisë, Kina ka regjistruar mbi 90 mijë të prekur nga kovidi-19 dhe raste sporadike vijojnë të identifikohen , ndërsa mbi 4,700 veta raportohen zyrtarisht të kenë mbetur viktima të korona virusit.