Moment historik në Kishën e Rostushës! Gjuha shqipe rikthehet në liturgji në Rekë

TË FUNDIT

Pas shumë dekadash, fjala shqipe u ridëgjua në një liturgji fetare në një kishë në Rekën e Epërme.


Kjo ndodhi në liturgjinë fetare që u mbajt për festën e “Ujit të Bekuar” në kishën “Hyjlindëses më të Shenjtë” në fshatin Rostushë.


Në liturgjinë e shenjtë i pranishëm si i ftuar ishte edhe At Nikolla Kodheli nga Shqipëria i cili një pjesëz të liturgjisë e mbajti në shqip.

Në videon e publikuar në faqen e Facebookut “Manastiri i Bigorskit – Shën Gjon Pagëzori” videot janë edituar dhe nuk dëgjohet liturgjia, por në komunikatën e Manastirit Bigorski shkruhet se “në kremtimin e këtij viti morën pjesë edhe mysafirë dhe psaltë nga Shqipëria, të cilët e kënduan troparin e Ujit të Bekuar edhe në gjuhën shqipe”.

Në shërbesën fetare mori pjesë edhe ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni, Denion Meidani, i cili e cilësoi këtë ditë si një moment me domethënie të thellë shpirtërore që përçon mesazhe ripërtëritjeje, pastrimi dhe shprese, si dhe thekson vlerat e mirësisë, solidaritetit, vëllazërisë dhe kujdesit të ndërsjellë që na bashkojnë si shoqëri.

Po pse iu dha kaq jehonë kësaj gjëje?


Kjo për shkak të debatit të madh, shpesh edhe të heshtur, për shqiptarët ortodoksë të Rekës së Epërme, të asimiluar në sllavë. Të paktë ishin ata që morën guximin për të folur për këtë. Mes tyre, Branisllav Sinadinovski dhe Branko Manojllovski.

Ky i fundit, duke rrëfyer kujtimet e fëmijërisë, tregonte se si kur mblidheshin në kishën “Shën Nikolla” në fshatin Kiçinicë, të gjithë besimtarët ortodoksë flisnin shqip.

“Reka e Epërme dhe gjuha shqipe kanë shkuar bashkë me mijëra vjet, që kur ekziston. Por siç ndryshuan kohërat, erdhi komunizmi, zunë njerëzit të ikin në qytete dhe një problem kishte se kur u ndërrua feja, një pjesë e madhe u bënë myslimanë dhe dy vllazën, njëri u bë mysliman e tjetri mbeti ortodoks, dhe dalë ngadalë u larguan me fe, e ky ortodoksi dukej më afër me sllavët, se ishte i një feje”, deklaron Branko Manajllovski.


Për këtë proces janë bërë edhe hulumtime të shumta historike-shkencore, që dëshmojnë asimilimin dhe rrënjët shqiptare të Rekës së Epërme. Figura më e njohur e këtyre anëve është rilindësi Josif Bageri.