Polakët para një viti ishin në ankth, pas vendosjes së embargos ndaj prodhimeve ushqimore të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Sot prodhuesit polakë po shënojnë eksport rekord dhe arma më efikase e tyre kundër embargos ruse është molla.
Një vit pas vendosjes së embargos ruse ndaj importimit të prodhimeve ushqimore nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, prodhuesit polakë po shënojnë një nivel rekord të eksportit. Një efekt të tillë shoqërues të sanksioneve nuk e ka pritur askush.
“Nëse dëshiron ti kundërvihesh Putinit, atëherë ha molla dhe pi verë të mollës”, kishte rekomanduar vitin e kaluar lexuesit e tij Gregor Novacki, kryeredaktor i revistës së biznesit, Puls Biznes.
Kjo ishte përgjigjja e tij ndaj embargos ruse, të cilën Moska e vendosi si reagim ndaj sanksioneve që unioni vendosi ndaj Rusisë, për shkak të krizës në Ukrainë.
Dhe thirrja e tij u përhap në Poloni me një shpejtësi të madhe. Brenda vetëm dy ditësh, faqja Ha molla u bë më e njohura në mesin e shfrytëzuesve të rrjeteve sociale në Fejsbuk dhe Tviter.
Embargoja ruse goditi rëndë pemëtarët polakë, në veçanti prodhuesit e mollëve. Deri vjet, 70 për qind e pemëve të eksportuara nga Polonia shkonin në tregun rus. Polonia është një prej prodhuesve më të mëdhenj të mollës dhe lëngjeve të mollës në Evropë.
Në fillim pemëtarët e kishin vështirë dhe u detyruan të ulin çmimet. Por që nga marsi i këtij viti, situata u përmirësua. Shitja shënoi një rritje prej 47 për qind për dallim nga viti i kaluar, ngase mollët polake filluan të eksportohen në tregje tjera.
Kryetari i Asociacionit të Pemëtarëve në Poloni, Mirosllav Malishevski, tha se nëse Rusia edhe më tutje blen molla nga Bjellorusia, Ukraina, Serbia dhe Maqedonia, atëherë këto shtete do të eksportojnë atje gjithë prodhimin e tyre dhe do të jenë të detyruara që për tregjet e tyre të blejnë mollët e Polonisë. Polonia eksporton ushqim në 73 shtete të botës, kualiteti i prodhimeve polake vlerësohet kudo. Eksporti rekord duket se është efekt shoqërues i embargos ruse dhe prodhuesit polak kanë gjetur tregje të reja në Lindjen e Afërt, Azi dhe Afrikë./ 21 Media
