Opozitarja VMRO-DPMNE mbetet në thirrjen deri te pushteti që procesi i ndryshimeve kushtetuese të bëhet sipas modelit kroat që është mënyra e vetme me të cilën pajtohen prej kësaj partie. Me këtë model Maqedonia do të jetë shtet i një populli dhe pakicave brenda tij, tha zëdhënësja e partisë më të madhe opozitare Maria Miteva. Ajo nuk u përgjigj nëse me këtë që kanë propozim mbi ndryshimet kushtetuese pranojnë që të bëhen pjesë e grupit të punës që duhet të punojë në përgatitjen e amendamenteve.
“I thërras LSDM-në dhe BDI-në si europianë të vetëshpallur, si subjekte politike që angazhohen për frontin europian, t’i pranojnë ndryshimet e Kushtetutës sipas modelit të një vendi anëtar i BE-së. Me këtë model Maqedonia do të jetë shtet i një populli dhe pakicave që jetojnë në të. Le të tregojnë nëse pranojnë zgjedhje të parakohshme dhe nëse pajtohen me modelin kroat. Të përsëris, oferta për ndryshimin e Kushtetutës sipas modelit kroat do të thotë se Maqedonia de fakto do të jetë shtet nacional edhe në letër edhe në praktikë, e jo si ishte deri më tani shtet civil në letër ndërsa federal në praktikë”, tha Marija Miteva, zëdhënëse e VMRO-DPMNE.
Deri më tani kryeministri Kovaçevski nuk ka treguar qëndrimin e tij për propozimin e VMRO-DPMNE-së që Kushtetuta të ndryshohet sipas modelit kroat, por nga LSDM i bënë thirrje partisë së Mickoskit që propozimet e tyre t’i japin në grupin e punës për ndryshimet kushtetuese. Qëndrim të njëjtë ka edhe BDI. Koordinatori i grupit të deputetëve, Arbër Ademi, pret që VMRO-DPMNE të kyçet në grupin e punës për ndryshimet kushtetuese dhe atje t’i dorëzojnë propozimet.
“Të gjithë partitë politike serioze, duhet të sillen në mënyre serioze, duhet të kenë qasje serioze ndaj këtyre ngjarjeve dhe momente kyçe për shtetin dhe të ardhmen e këtij shteti dhe shoqërisë. Kështu që pres se edhe VMRO-DPMNE si parti serioze politike të marrë pjesë në grupin e punës. Pres që gjithçka që ka VMRO-DPMNE, por edhe të gjithë partitë tjera politike t’i thonë në atë grup pune dhe kështu të vijmë deri te zgjidhja më e mirë”, tha Arbër Ademi, BDI.
Por partitë tjera shqiptare kryesisht nuk pajtohen me propozimin e VMRO-DPMNE-së. Aleanca për shqiptarët vlerëson se zgjidhja që e ofrojnë është mosnjohje absolute e realitetit.
“Koha e dominancës së një etniteti në Maqedoninë e Veriut ka përfunduar një herë e përgjithmonë dhe prapakthim në atë gjendje nuk mund të ketë. Maqedonasit janë 54%, ndërsa shqiptarët 30% dhe së bashku nuk bëjnë përqindjen e kroatëve që jane mbi 90%. Cilësimi i shqiptarëve në propozimin e tyre si pakicë kombëtare edhe një herë tregon se mentaliteti i tyre është kthyer dekada pas dhe kjo është për keqardhje”, thonë nga ASH.
Sipas Alternativës propozimi i VMRO-DPMNE-së është retrogard dhe sipas tyre akti më i lartë juridik i vendit duhet të ridefinohet.
“Propozimi ynë ka qenë që Maqedonia e Veriut të definohet si “shtet i kombit maqedonas, kombit shqiptar dhe bashkësive etnike”. Për të qenë kreativë në këtë temë Alternativa e ka edhe propozimin tjetër, që Maqedonia e Veriut të definohet në preambulë si “shtet i qytetarëve të saj”, duke i hequr të gjitha atributet etnike nga ndërtimi i shtetit”, thonë nga Alternativa.
Përndryshe, paralajmërohet që së shpejti të formohet grupi i punës që duhet të punojë në përgatitjen e amendamenteve për ndryshimet kushtetuese. Përveç partive politike në këtë grup punues do të marrin pjesë edhe profesorë dhe ekspertë juridik.
