Pas një periudhe të gjatë pa asnjë informacion mbi vendndodhjen e saj, aktivistja dhe mjekja shqiptare nga Gjermania, Albullena Fazliu, është shfaqur nga bordi i anijes “Conscience” (“Ndërgjegja”), e cila është pjesë e një flotiljeje ndërkombëtare që po lundron drejt Rripit të Gazës.
Fazliu, e cila ushtron profesionin e anestezistes në Gjermani, është bërë pjesë e kësaj nisme humanitare, së bashku me rreth 100 mjekë dhe gazetarë nga vende të ndryshme të botës.
Flotilja synon të dërgojë ndihma dhe të shprehë solidaritet për popullatën civile palestineze dhe veçanërisht për mjekët dhe gazetarët që, sipas saj, janë objektiva të sulmeve sistematike.
“Quhem Albullena Fazliu, jam doktoreshë. Jam anesteziste dhe punoj e jetoj në Gjermani”, tha ajo në një mesazh të regjistruar nga bordi i anijes.
Ajo denoncoi ashpër veprimet e Izraelit në territorin palestinez. “Ka 80 vite që shteti sionist i Izraelit vazhdon të vrasë popullatën civile në Palestinë. Ndër ta fëmijë. Sidomos mjekët dhe gazetarët vriten në mënyrë sistematike”.
Fazliu tha se ndodhet në këtë flotilje për të ngritur zërin për të drejtat themelore të njeriut, si siguria dhe liria, që sipas saj po shkelën rëndë në territoret palestineze. “E drejta për siguri dhe liri është e drejtë themelore e njeriut”, shtoi ajo.
“Për momentin jam në anijen ‘Conscience’, ose në shqip ‘Ndërgjegja’. Me rreth 100 mjekë e gazetarë nga gjithë bota. Ne duam të shprehim me këtë iniciativë solidaritetin për mjekët dhe gazetarët palestinezë të vrarë nga shteti kriminel izraelit”, theksoi mjekja Fazliu.
Misioni i flotiljes humanitare ka zgjuar interes të madh ndërkombëtar, si një përpjekje simbolike për të tërhequr vëmendjen e botës ndaj krizës humanitare në Gaza dhe nevojës për mbështetje për viktimat civile.