Mjekët të pa motiv, paralajmërojnë grevë të përgjithshme! Zyrtarët 78% rritje page ndërsa punëtorët shëndetësor zero

TË FUNDIT

Sa i kanë pagat tani zyrtarët me rritjen prej 78%? Disa ministria e drejtorë u pyetën nga gazetarët, por përgjigje konkrete nuk morën. Në foltore u afrua Zv/kryeministri i parë Artan Grubi, i cili tha se paga e tij e tanishme është më e ulët se ajo që ka marrë në punën që ka bërë më parë.

“Pagat janë të gjitha të ndryshme, shoh se më e ulëta është e zv/kryeministrit dhe kryeministrit dhe është më e ulët se paga ime e mëparshme që merrja në vendin e punës së kaluar, por është sipas ligjit dhe mirë që gjykata nuk solli vendim retroaktiv”, tha Artan Grubi, zv/kryeministër.

Rritja e pagave të rreth 1000 zyrtarëve do t’i kushtoj shtetit rreth 960 milionë denarë në nivel vjetor ose 15 milion euro.

“Në nivel mujor bëhet fjalë për rreth 80 milionë denarë, që në vit është rreth 960 milionë denarë dhe këtu po e përsëris bëhet fjalë për rreth 1.000 zyrtarë, persona të zgjedhur dhe të emëruar”, pohoi Fatmir Besimi, ministër i Financave.

Përderisa funksionarët po marrin paga më të larta për rreth 1.000 euro, punëtorët shëndetësorë ende po presin nga qeveria që ta përmbushin premtimin e dhënë, se do të kenë rritje për 2.000 dhe 3.000 denarë. Për pagën u pyet edhe Ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti. Ai tha se e ka marrë pagën me rritje, ndërsa nuk deshi të komentojë diferencën e rritjes mes zyrtarëve dhe infermierëve. 

“E kemi marrë, nuk e kam kontrolluar por e di se të gjithë kemi marrë. Unë nuk kam vendosur për rritjen, ne punojmë që punëtorët shëndetësor të kenë të ardhura më të mira dhe për të njëjtën do të angazhohemi edhe në të ardhmen. A është fer që ata të marrin 2.000 denarë rritje ndërsa zyrtarët 78%? Këtë nuk do ta komentoja”, deklaroi Fatmir Mexhitu, ministër i Shëndetësisë.

Sindikatat e shëndetësisë janë të indinjuara, që siç thonë u mushtuan dhe nuk iu rritën pagat. Më së shumti na vret sjellja injoruese e qeverisë se sa fakti që nuk u përmbush premtimi, thonë krerët e sindikatave. Kjo ka bërë që punëtorët shëndetësor të jenë në grevë të bardhë, që domethënë janë demotivuar dhe nuk japin shërbimet e duhura, ndërsa për pagat do të ketë masa radikale dhe grevë gjenerale, shtojnë nga sindikata.

“Na dhemb sjellja e tyre injoruese, shtatë muaj na bartin nga ministria në ministri për 2.000 – 3.000 denarë, e nga ana tjetër ndodh rritje e pagave të tyre për 78%, ndihemi si të retarduar”, tha Stojka Nakevska – nënkryetare e Sindikatës.

“Po bëhet e ashtuquajtur grevë e bardhë për shkak të demotivimit të të punësuarve në shëndetësi, shpresoj që nuk do të lejohet që të ndodh më radikalja, të sjellim vendim për grevë gjenerale, sepse kështu do të vuajnë pacientët, ndërsa të gjithë ne jemi pacientë potencial”, pohoi Lubisha Karanfillovski – Sindikata e Shëndetësisë.

Përndryshe mantelbardhët disa herë protestuan për rritje të pagave, ndërsa në protestën e fundit më 30 mars përpara Ministrisë së Shëndetësisë, iu premtua po nga ky dikaster se do të kenë rritje, mirëpo e njëjta nuk ndodhi. Nga sindikatat thonë se presim aprovim nga Ministria e Financave përderisa kanë marrë pëlqim nga Fondi për sigurim shëndetësor.