Mjekët kërkojnë pagat e janarit! Paralajmërojnë padi penale, grevë dhe radikalizim të protestave

TË FUNDIT

Sindikata e pavarur medicinale do të ngre padi ndaj personave që janë përgjegjës për vonesën e pagave të punonjësve shëndetësor. Mjekët nga kjo sindikatë përsëri erdhën përpara Fondit për sigurim shëndetësor për të kërkuar pagat e janarit, e mes tjerash kërkuan edhe takim me drejtoreshën Magdalena Grashkoska Filipovska, por pa sukses. Dyert e objektit ishin të mbyllura.

“Viteve të kaluara, diku 10 vitet e fundit IT sistemi i Fondit ka pasur ngecje, por jo deri në nivelin që është tani, në këtë drejtim ne si sindikatë kërkojmë që të nis edhe përgjegjësia për personat që janë në pozicione për të organizuar rregullat dhe ligjet. Në këtë drejtim ekipi juridik i sindikatës do të dorëzoj padi penale të premten”, tha Goran Risteski – Sindikata e Pavarur Medicinale.

Përfaqësuesit e sindikatave në protestë thonë se kërkesat e tyre ndaj qeverisë po hasin në vesh të shurdhër. Edhe punonjësit shëndetësorë të spitalit “8 Shtatori” në Shkup protestuan para godinës së këtij institucioni.

“Protesta e sotme është e qetë dhe është organizuar me qëllim pakënaqësisë për mos-marrjen e pagës që duhet të merrej me 10 shkurt, megjithatë ka vonesë dhjetëra ditë. Ka kaluar edhe afati ligjor tashmë pesë ditë. Njerëzit nuk kanë para, kredi të papaguara, kush do t’i paguaj kamatat, kush do t’i paguaj faturat. Këtu kemi njerëz që punojnë për mbijetesë, me të ardhura shumë të ulëta që marrin nga 18 mijë pagë neto”, tha Renata Gjakonoviq – Sindikata e spitalit “8 Shtatori”.

Protesta pati edhe në Qendrën Klinike Universitare “Nënë Tereza” ndërkaq Lidhja e sindikatave organizoi një press konferencë për të reaguar për problemin e thonë që nëse nuk lëshohen pagat deri nesër do të ketë protestë të përgjithshme. Nga Fondi thonë se prej nesër do të nisin me pagesat e nevojshme.