Mjekët e rinj në pritje të specializimit! Shpallja e konkursit askund! Filipçe thotë se duhet ende kohë

TË FUNDIT

Mjekët e rinj vazhdojnë të jenë në pritje të specializimit.

Dy konkurset për specializantë të rinj duhej të hapeshin njëri më 15 mars dhe tjetri më 15 shtatorë 2020, por deri tani asnjëri nuk është hapur.

Ministri Filipçe në nëntor të viti 2020 premtoi se në fund të vitit programi do të jetë i përfunduar dhe do të hapet konkursi. Kjo nuk ndodhi, ndërsa ai sërish premtoi për në janar të vitit 2021.

 “Specializimet të cilat nuk u shpallën  për shkak të krizës me Covid, tani në fillim të vitit do të shpallen edhe atë janë në dispozicion për të gjithë mjekët e rinj, të cilën në mënyrë të mirë dhe strategjike e  përgatitëm me një përqindje të saktë të nevojave, sipas specialitetit në bazë të nevojave të klinikave dhe spitaleve të shtetit”, theksoi Venko Filipçe – Ministër i Shëndetësisë.

Në fillim të janarit të këtij viti ministri tha se i kanë përgatitur programet me të dhëna nga të gjitha spitalet e shtetit, por sot thotë se duhet kohë për t’i përgatitur të dhënat nga spitalet e shtetërore.

Ai serish nuk dha një afat konkret se kur do të fillojnë me specializim mjekët e rinj të cilët presin që nga muaji mars.

 “Ende jemi duke u koordinuar me dekanatin. Kishim disa mbledhje dhe programi është kah fundi. Qëllimi është që të mos shpejtojmë dhe programi të përputhet me nevojat, dhe kjo kërkon të dhëna nga të gjitha spitalet. Për këtë po na merr më shumë kohë”, u shpreh ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Nga Asociacioni i specializantëve dhe mjekëve të rinj kërkojnë që sa më shpejtë të hapet konkursi dhe të fillojë procedura për specializimin e mjekëve të rijnë.

 “Kemi dërguar edhe ne disa pyetje deri te udhëheqësit aktual megjithatë ende nuk ka përgjigje në atë temë dhe sinqerisht apelojmë që sa më shpejtë të fillohet me qëllim që në kohë ata mjek të hynë në sistemin shëndetësorë të shtetit tonë”, theksoi Dr.Bozhidar Kocoski – Asociacioni për Specializantë dhe mjek të rinj.

Kohëve të fundit në adresë të TV21 kanë arritur një sërë ankesash nga mjekët e rinj të cilët presin për të filluar specializimin në nivel shtetëror.