“Mjekët amë po vjedhin pacientët, duke i regjistruar në ordinancat e veta pa miratimin e tyre”. Këtë për TV21 e thotë kryetari i lidhjes së mjekëve të mjekësisë familjare, doktor Dragan Gjorgjievski. Ai shton se kjo po ndodh për shkak se mjekët varen nga numri i pacientëve, sipas modulit të financimit, të cilin kërkon të ndryshohet. Gjorgjievski thotë se për mjekët amë duhet të ketë pagesë fikse të garantuar, përqindje të kapitacionit dhe paketë të shërbimeve, për të tejkaluar këtë barrierë.
“Për momentin përballemi me vjedhje të pacientëve, shumë kolegë reagojnë se po ndodh çlajmërim i pacientëve të shtunave dhe të dielave në mbrëmje, pa dijeninë e pacientëve, kjo në një farë forme është krim. Ju e regjistroni një pacient pa e ditur ai pacient. Kjo po ndodh shumë intensivisht dhe është problem me të cilin Fondi shëndetësor duhet të merret, sepse kjo po ndodh pikërisht për shkak të modulit të financimit – varësisht prej pacientëve, sa më shumë në numër keni kapitacion më të madh edhe pagë më të madhe”, tha Dragan Gjorgjievski.
Ai gjithashtu ankohet se në shëndetësinë primare punonjësit shëndetësorë kanë paga shumë të vogla, për këtë arsye edhe ikin në shëndetësinë sekondare, terciare ose jashtë shtetit.
“Largimi i kuadrove të reja është shumë serioz, mund të ju nxjerr disa analiza, në shëndetësinë primare keni shumë pak mjekë të rinj. Ja në vendin ku jam unë me ordinancën e re, pediatri po shkon në specializim, kolegia tjetër po bëhet gati për Gjermani edhe kolegu i tretë po përgatit për Gjermani, pra ka shumë pak mjekë nën 30 vjet”, deklaroi Dragan Gjorgjievski.
Ministri i Shëndetësisë tha se me OBSh-në e kanë në fokus shëndetësinë primare dhe se po punohet për të ridefinuar shërbimet e tyre shëndetësore dhe kompetencat.
E pavarësisht të dhënave nga Oda e Mjekëve se 500 mjekë në vend nuk i kanë rinovuar licencat e punës brenda një viti, Aliu thotë se kjo është dezinformatë dhe se nuk ka të bëjë me ikjen e mjekëve jashtë shtetit.
“Ai numër është larg 500, një pjesë e doktorëve pensionohen, nuk duan të rilicencohen, një pjesë e tyre ndërrojnë jetë, një pjesë e tyre harrojnë e duhet të shkojnë në edukim që të rilicencohen. Kështu që ky numër nuk është i saktë”, tha Azir Aliu.
Oda e Mjekëve ka sqaruar se regjistri i tyre nuk identifikon se cilët dhe sa mjekë kanë shkuar jashtë vendit, por thjesht sa prej tyre kanë një licencë aktive. Nëse në fund të vitit 2024, numri i licencave aktive ishte 9,777, këtë fundvit, numri i licencave aktive është 9,253, apo rreth 500 më pak.
