Mjekët amë sot nuk janë në dispozicion të pacientëve, nuk japin receta dhe rekomandime për pacientët, përveç rasteve urgjente. Kjo ngaqë ata kanë vendosur të jenë në grevë. Shprehen të pakënaqur me kërkesat e paplotësuara, gjegjësisht kapitacionin e ulët dhe goditjet financiare, që sipas tyre mund të çojnë në mbylljen e ambulancave. Kërkesa kryesore është rritja e çmimit të pikës së kapitacionit për pacient. U premtuan se do të kushtonte 95 denarë por nuk u realizuan, thonë mjekët. Protestës së mjekëve u janë bashkuar edhe specializantët privatë dhe stomatologët.
“Nuk kemi pasur ndonjë rast urgjent. Të gjithë pacientët që kanë qenë të paraqitur, ne i kemi informuar që mbrëmë, se sot do të kyçemi në protestë. Ka mirëkuptim edhe nga pacientët. Ka një numër të vogël që kërkojnë shërbimi t’u kryhet pa marrë parasysh rrethanat, mirëpo ne qëndrojmë fuqishëm në qëndrimin që kemi dhe duam t’i mbajmë premtimet që kemi dhënë, që të na realizohen kërkesat që kemi”, Bojan Trajkovski, mjek amë.
