Mjekësia, drejtimi më tërheqës për semimaturantët! MASH: Rritje regjistrimesh në arsimin profesional dhe dual

TË FUNDIT

Interesimi më i lartë i semi-maturantëve për shkollimin e mesëm është për drejtimet profesionale si ekonomike, teknike dhe medicinale. Drejtimi i mjekësisë është ndër më të kërkuarit, ku më shumë se gjysma e aplikimeve në drejtimet profesionale janë për infermieri, stomatologji, laborantë.

“Në drejtimin gjimnazi i përgjithshëm janë rreth 8 mijë aplikime në 234 paralele, në drejtimet Profesionale janë rreth 12 mijë vend. Në arsimin e mesëm dual, kjo që është me interes dhe që Ministria e Arsimit viteve të fundit e ka promovuar dhe e mbështet kryesisht edhe me bursa, janë paraparë 6,725 vende në 269 paralele dhe pastaj te drejtimi artistike janë 578 vende dhe te drejtimi i sportit janë 510 vende”, tha Lulzim Aliu, zëvendësministër i arsimit dhe shkencës.

Në afatin e parë të regjistrimit, përmes platformës online, kanë aplikuar mbi 14,300 nxënës, bën të ditur Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Nëse dikush mbetet pa u regjistruar, nuk duhet të druajë sepse ka edhe një afat.  

“Por, ky numër nuk është përfundimtar për shkak se është edhe procesi i dorëzimit të dokumenteve. Mund të ndodh që ndonjëri prej tyre nxënësve të mos i përmbush kushtet ose të mos ketë mundësi fizike. Por, më pas ka edhe afat të dytë, madje ngelet si afat plotësues edhe afati i gushtit”, theksoi Lulzim Aliu, zëvendësministër i arsimit dhe shkencës.

Nga afërsisht 28.000 vende të lira për vitin e ri shkollor 2025/2026 për nxënësit, të cilët do të mund të regjistrohen në shkollat e mesme komunale, prej tyre 18.500 vende janë të parapara për regjistrim në shkollat e mesme profesionale. Për këtë qëllim, Qeveria dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës e kanë rritur numrin e bursave për arsimin dual në 1,570, ndërsa është rritur edhe numri i kompanive që, përveç mësimit teorik në shkollë, do t’u mundësojnë nxënësve të shkollave të mesme të regjistruar në paralelët duale edhe mësim praktik në 550 kompani, në të cilat nesër edhe mund të punësohen.