Misioni vlerësues i BE-së në Këshillin Gjyqësor / Mickoski: Kovaçevski e pranoi se është i paaftë të punojë

TË FUNDIT

Ardhja e misionit vlerësues të BE-së për të kontrolluar punën e Këshillit Gjyqësor, organ ky i cili kohëve të fundit assesi nuk po arrin ta marrë veten nga skandalet e njëpasnjëshme, për kreun e VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski do të thotë paaftësi e kryeministrit Dimitar Kovaçevski që të punojë diçka për shkak se në vazhdimësi mendon vetëm për fotovoltaikë dhe parcela.

“Tani do të sjellim komision vlerësues, ekspertë prej jashtë, ata do të na i bëjnë reformat, ata do të na i përfundojnë projektet, atëherë për çka është ai kryeministër?! Nuk e dinte se çfarë po ndodh me Merkon, përshëndet ekspertet nga jashtë… nuk e di për çfarë i paguajmë institucionet dhe kush është ai që duhet të drejtojë me institucione që ne të sjellim njerëz shtesë nga jashtë që do të na thonë se sa institucionet nuk bëjnë”, tha Mickoski.

Së shpejti pritet që Këshilli Gjyqësor të jetë nën llupën e BE-së. Këtë vendim krahëhapur e kanë pritur edhe Këshilli Gjyqësor, të paktën kështu kanë shkruar në kumtesën e tyre për media. Por nga ky organ nuk pajtohen me kritikat që ju drejtohen nga opinioni dhe ekspertë të gjyqësorit.

“Anëtarët janë të vetëdijshëm për perceptimin e keq që është krijuar në opinion gjatë muajve të fundit, por refuzojnë të pranojnë se punojnë në mënyrë të paligjshme dhe se merren vendime të paargumentuara, të cilat gjoja mbrojnë interesat e dikujt personale apo partiake. Pavarësisht se të gjitha seancat e Këshillit Gjyqësor janë publike, ne mbetemi të zhgënjyer që publiku dhe qytetarët për një kohë të gjatë kanë mbetur të painformuar për një numër të madh të aktiviteteve që po kryen aktualisht Këshilli”, thanë nga Këshilli Gjyqësor.

Nga ana tjetër dje kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se e përshëndetë ndihmën e ofruar nga BE për të vlerësuar punën e organit i cili duhet të sigurojë gjyqësor të pavarur e që kohët e fundit kritikohet pikërisht për ndikime të mundshme politike.

“Tash së fundmi kemi zgjidhje me çka gjykatësit kanë mandat të përjetshëm, zgjidhen nga ana e Këshillit Gjyqësor si trup i pavarur dhe profesional që ka integritetin e tij dhe vlerësimin për ta e japin përsëri gjykatës nga Këshilli Gjyqësor. Është një trup që vetë zgjidhet, vetë vlerësohet dhe vetë japin analiza se çfarë kanë bërë. Që nga dita e parë kur u bëra kryeministër kam vlerësuar se sisteme të tilla shpesh herë dinë të kenë pasqyrë tjetër për veten e tyre nga ajo që e ka opinioni jashtë të cilit i shërbejnë”, u shpreh Kovaçevski.

Turbulencat në Këshillin Gjyqësor filluan që në seancën ku u shkarkua në mënyrë të paligjshme ish-kryetarja Vesna Dameva.