Miratohet rebalanci i buxhetit – Përveç deputetëve të shumicës, të pranishëm një numër i vogël nga opozita

TË FUNDIT

Që në ditën e parë të debatit, me 67 vota pro dhe 7 kundër, deputetët në Kuvend e miratuan rebalancin e buxhetit edhe pse kishin afat nga 3 ditë për miratimin e tij. Edhe vetë debati zgjati shkurt duke marrë parasysh se në sallë ishin të pranishëm vetëm një numër i vogël deputetësh nga opozita, ndërsa ata të Frontit Europian e lëshuan sallën. Ministrja e financave Gordana Dimitrieska-Koçoska tha se me rebalancin është siguruar pagesa e rrogave dhe pensioneve, funksionimi normal i institucioneve dhe realizimi i projekteve.

“Parashikuam harmonizim me pagën minimale të të punësuarve ku rroga minimale paraqet komponent të pagës bazë. Harmonizimi i rrogave sipas indeksit të shpenzimeve për jetë në gjashtë muajt e parë të vitit sipas përcaktimeve të marrëveshjes kolektive për të punësuarit në sektorin publik. Sigurimi i mjeteve shtesë për pagesë të kompensimeve të funksionarëve, pagesë të pensioneve për të cilat janë siguruar mjete shtesë prej 5.1 miliardë denarëve”, tha Gordana Dimitrieska-Koçoska, ministre e Financave.

Kritika për rebalancin e buxhetit kishte nga opozitarja LSDM prej ku mendojnë se i njëjti është tepër i keq  për shkak të faktit se deficiti është rritur me çka rritet edhe borxhi publik.

“Sipas rebalancit të buxhetit dhe parashikimeve në të, është rritur deficiti buxhetor për 11 miliardë dhe 156 milionë denarë, d.m.th. deficiti tani është 4,9% nga BPV-ja. Kjo do të thotë se deficiti që ishte 33,5 miliardë denarë tani do të jetë 43,7 miliardë denarë që automatikisht shkakton rritje të borxhit publik të shtetit”, tha Dimitar Kovaçevski, LSDM.

Me këtë korrigjim të thesarit shtetëror, të ardhurat e përgjithshme janë planifikuar në nivel prej 318,2 miliardë denarëve që është 8 miliardë më shumë krahasuar me projektimin e buxhetit të këtij viti. Të dalat e përgjithshme janë projektuar në 362,8 miliardë denarë ndërsa deficiti është projektuar në nivel prej 44,7 miliardë denarëve që është 4,9% nga BPV-ja krahasuar me projektimin e mëparshëm prej 3,4%.