Miratohet nevoja e Ligjit për shtetësi, opozita shqiptare pret të miratohet sa më shpejtë

TË FUNDIT

Pas bllokimit të gjatë, ligji për shtetësi siç duket po gjen rrugë drejt miratimit. Kuvendi me 66 vota “për”, 38 “kundër” dhe 3 “të përmbajtur” votoi nevojën për miratimin e Ligjit për shtetësi me flamur evropian. Pritet që i njëjti nesër të gjendet në Komisionin për çështje evropiane, ku mund të diskutohet tre ditë dhe më pas të kthehet në seancë plenare për votim. Propozuesi i ligjit, ministri i brendshëm Oliver Spasovski tha se me këtë ligj do të lehtësohet marrja e shtetësisë për qytetarët që kanë hasur në pengesa.

“Bëjmë përpjekje që ato qytetarë që janë këtu dhe jetojnë në territorin e Maqedonisë së Veriut, qëndrojnë këtu me vite ndërsa nuk mund të marrin shtetësi për shkak se nuk mund ta plotësojnë ndonjë kusht prej ligjit ekzistues, nëpërmjet këtij ligji mundësojmë që të gjithë qytetarët tanë që jetojnë këtu të pajisen me shtetësi”, tha Spasovski.

Por partia “E Majta“ thotë që ligjin do ta bllokojnë edhe në Komisionin për Çështje Evropian, por pa theksuar se si do ta bëjë këtë. Ndërkohë deputeti i ASh-së, Elmi Aziri, nuk parasheh që ligji të has në pengesa dhe bllokada të reja pasi që është me flamur evropian.

“Rregullorja e Kuvendit është e qartë. Debati është i kufizuar edhe në Komisionin për Çështje Evropiane edhe në seancë plenare dhe konsideroj se Rregullorja e Kuvendit nuk i jep asnjë mundësi që të bllokohet ligji. Andaj shpresojmë që do të kemi konstruktivitet nga të gjithë përbërësit politik në Kuvend sepse bëhet fjalë për një ligj që ju mundëson jetë një grupi të qytetarëve që e kanë pasur të pamundur të realizojnë të drejtat e tyre”, tha Aziri.

Opozita shqiptare pret që ligji të kalojë me shpejtësi procedurat e mbetura dhe të miratohet në afat sa më të shkurtër, ndërsa sipas Rregullores së Kuvendit, për të dorëzuar amendamente për ligjin, partitë do të kenë afat deri para fillimit të mbledhjes së Komisionit për çështje evropiane.

TË NGJAJSHME