Ministri për punë të brendshme, Oliver Spasovski ende vazhdon me qëndrimin se ligjet nga sfera e sigurisë janë të mira dhe se me ta bëhen reforma të mira, me të cilat hiqet koncentrimi i fuqisë në shërbimet sekrete dhe kthehet besimi i qytetarëve. Spasovski në fjalimin e tij tha se të gjithë kanë punuar në ndryshimet e këtyre ligjeve dhe se me këtë tejkalohen interesat partiake dhe individuale.
“Vetë fakti se disa herë është ndryshuar teksti i ligjit nga vetë fillimi deri në versionin final, pranimi i disa amendamenteve, tregon se nuk kemi asnjë interes tjetër përveç interesit të shtetit dhe andaj kjo reformë ka më shumë rëndësi për shkak se të gjithë së bashku me një konsensus më të gjerë do të arrijmë që t’i sjellim këto zgjidhje ligjore”, tha Oliver Spasovski, Ministër i Punëve të Brendshme.
Ligjet i lëvdoi edhe Nikolla Micevski, koordinator i grupit të deputetëve të VMRO-DPMNE-së
“VMRO-DPMNE-ja jo vetëm që ka marrë pjesë në mënyrë aktive për përmirësimin dhe konceptimin e këtyre ligjeve, ne në të ardhmen do ta ndjekim edhe zbatimin e tyre që është shumë më e nevojshme nga vet sjellja e këtyre zgjidhjeve ligjore”, theksoi Nikolla Miceski nga VMRO-DPMNE.
Nënkryetarja e Kuvendit, Frosina Remenski, e cila kishte një numër të madh të vërejtjeve dhe amendamenteve, tha se zgjidhja e tillë ligjore nuk do të kontribuojë në zbardhjen e të kaluarës kriminele të një pjesë të të punësuarve në DSK. Përzgjedhjen e të punësuarve që do të transferohen në Agjencinë për Siguri Kombëtare, do ta bëjnë dy deputet, që për Remenskin është shumë e kontestueshme.
“Pjesëmarrja e deputetëve në Komisionin për përzgjedhje, është anti-kushtetuese, anti-ligjore dhe e pabazë për shumë zgjidhje ligjore për të cilat fola në Komision, ndërsa po flas edhe publikisht dhe tërësisht qëndroj pas kësaj që po flas”, POTENCOI Frosina Remenski, nënkryetare e Kuvendit.
Xhevat Ademi nga BDI, thotë se sjellja e një ligji kaq të rëndësishëm me konsensus të plotë nga të gjithë partitë politike, është shenjë e mirë për të ardhmen e vendit.
“Debati gjithëpërfshirës vetëm e përmirëson cilësinë e ligjit. Kyçja e të gjithë aktorëve, me aksent të posaçëm të opozitës i jep qëndrueshmëri ligjit dhe e shpjegon të njëjtin”, u shpreh Xhevat Ademi nga BDI.
Fadil Zendeli nga Besa e theksoi çështjen për DSK-në e deritanishme, për punën e së cilës tha se ka qenë e diskutueshme. Ai kërkoi që njëri prej dy deputetëve që do ta bëjnë përzgjedhjen, të jetë nga partitë shqiptare.
“Nëse ka dy deputetë, anëtarë të këtij Komisioni për përzgjedhje, atëherë njëri prej tyre do të jetë nga VMRO-DPMNE-ja ndërsa tjetri nga LSDM-ja, si dy parti më të mëdha. Çka po ndodh me përfaqësimin e shqiptarëve si deputetë”, deklaroi Fadil Zendeli nga Lëvizja Besa.
Ligji u miratua me konsensus të plotë në të cilin përkrahje dhanë deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe të grupit të pavarur të deputetëve. Me këtë ligj parashikohet që kryeministri të ketë autorizime më të mëdha në sferën e inteligjencës ndërsa me propozim të tij të emërohet drejtori i Agjencisë. Do të kontrollohet edhe rreziku i sigurisë së punonjësve. Ata te të cilët do të konstatohet rrezik i tillë, do të kenë të drejtë për tu ankuar.
Përgatiti: Svetllana Unkovska
