Ministrja sllovene i bën thirrje partive në vend: Mbështetni ndryshimet kushtetuese, për ta vazhduar rrugën drejt BE-së

TË FUNDIT

Ndryshimet kushtetuese janë vendimtare që Maqedonia e Veriut të ecë përpara në rrugën drejt Bashkimit Europian. Kështu tha ministrja  e punëve të jashtme të Sllovenisë Tanja Fajon, e cila u bëri thirrje të gjitha partive politike që t’i mbështesin ato.

“I bëj thirrje të gjitha partive përgjegjëse në këtë vend që të ndërmarrin hapat e nevojshëm, si ndryshimi i kushtetutës, në mënyrë që ky proces i zgjerimit dhe negociatave të para-anëtarësimit të mund të vazhdojë. Është përgjegjësi ndaj shtetasve, ndaj qytetarëve dhe është thelbësore që Maqedonia të ecë përpara drejt BE-së”, pohoi Tanja Fajon, ministre e Punëve të Jashtme të Sllovenisë.

Zëvendëskryeministri për çështje europiane Bojan Mariçiq bëri të ditur se Sllovenia po e ndihmon RMV-në në pjesën e procesit të integrimit në Bashkimin Europian.

“Krahas mbështetjes që e marrim nga Sllovenia për projektet e infrastrukturës investuese, për ne është shumë e rëndësishme edhe mbështetja teknike në pjesën e procesit të integrimit me Bashkimin Europian. Për financimin e këtij lloj aktiviteti do të vihen në dispozicion gati 260 mijë euro. Institucionet tona kanë bashkëpunim të shkëlqyeshëm me Qendrën për Perspektivë Europiane, veçanërisht në fushën e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, e cila kontribuon ndjeshëm në zbatimin e ligjit të BE-së në kuadër të kapitullit të rëndësishëm 24 – Drejtësia, liria, dhe siguria”, pohoi Bojan Mariçiq, zëvendëskryeministër për Çështje Europiane.

Ndryshe sot u nënshkrua memorandum të bashkëpunimit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Sllovenisë. Mariçiq theksoi se ky memorandum për periudhën 2023-24 parasheh rreth 2 milionë e 100 mijë euro. Nga ana tjetër Fajon bëri të ditur se prej vitit 2010 Sllovenia ka investuar më shumë se 43 milionë euro në vend në projekte për mbrojtjen e mjedisit.